Drejtësia

Kryeprokurori i Romës: Krimi i organizuar nuk është vetëm drogë e vrasje, por edhe dëm ekonomik

Gazeta Si – Drejtuesi i Prokurorisë së Romës Francesco Lo Voi, tha se Shqipëria dhe Italia duhet të vazhdojnë bashkëpunimin e tyre kundër lidhjeve kriminale mes dy vendeve.

Gjatë takimit të përbashkët në Tiranë mes SPAK-ut dhe Antimafias italiane, ai shtoi se do të vijonte bashkëpunimi me autoritetet shqiptare, për të çuar para drejtësisë eksponentët e krimit të organizuar.

“Është e dukshme prania e ndërsjellë e kriminalitetit në të dyja vendet, që veprojnë me eksponentë të krimit të organizuar italian dhe vendeve të tjera që veprojnë në Itali, – tha Lo Voi. – Ne duhet të vazhdojmë të ndjekim bashkëpunimin, sigurimin e provave, të dërgojmë në proces kriminelët, italianë apo të huaj qofshin. Kam realizuar disa forma bashkëpunimi me kolegët shqiptar, shumë më efikase se sa me kolegë të vendeve të tjera të BE”.

Ndër të tjera, drejtuesi i prokrurorisë së kryeqytetit italian, shtoi se krimi i organizuar përveç problematikave të shumta, shkaktonte edhe dëme ekonomike.

Ai shpjegoi sesi funksiononte pastrimi i parave të pista dhe korrupsioni i struktruave shtetërore duke marrë shembull blerjen e një hoteli.

“Mafiet e ndryshme dhe kriminaliteti i organizuar provokojnë dëme, që nuk janë vetëm ato të dukshme, vrasje, trafik droge, por shkaktojnë dëme edhe shoqërive, provokojnë dëme ekonomike, tregut, konkurrencës së lirë, konkurencës mes biznesmenëve të ndershëm, – vijoi ai – Nëse pronari i një hoteli vendos ta shesë (objektin), vlen 100, paraqiten blerës të mundshëm dhe vjen dikush që ka para të pisët dhe ofron 200. Është e qartë se pronari do ia shesë atij që ofron 200. Kjo prish konkurrencën e ndershme, sepse nuk i bën dot konkurrencë kësaj mase të madhe parash. Jo vetëm investon para, por investon formë të re gjetjesh parash në formë ligjore”.

Duke shtjelluar shembullin  tij, Lo Voi argumenton: “Aktiviteti në dukje është i ligjshëm. Ai do ta shtojë hotelin, i duhen 20 dhoma të reja. I drejtohet strukturave përkatëse të shtetit, për leje ndërtimi, me shuma parash në dispozicion, mund të bëjë edhe korrupsion, dhe çon në dëme të mëdha të ekonomisë së një vendi. Ky është një aksion që ka nevojë të përfshirjes edhe të qytetarëve përveç organeve të ligjit”.

Ndërkohë, prokurori i Antimafias italiane, Giovanni Melillo, tha se kriminaliteti me bazë terrorisimin po rritet.

Ai bëri thirrje se përveç punës me skuadra të përbashkëta hetimore, duhet një plan për të luftuar këtë sistem gjithpërfshirës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë