Ngjarje

Kryepeshkop Joani mesazh besimtarëve: Tani, më shumë se kurrë, bota ka nevojë për dritën e Krishtit

Nga Gazeta Si- Kryepeshkop Joani ka përcjellë një mesazh urimi për të gjithë besimtarët me rastin e Festës së Krishtlindjes. Ai thotë se festa e Krishtlindjes nuk ka të bëjë vetëm me lindjen e një mësuesi, profeti apo ligjvënësi por vjen si një rreze shprese, ngushëllimi e paqeje për këdo.

“Është detyra e çdo të krishteri ta përhapë dhe ta bashkëndajë këtë dritë me të gjithë botën, sepse vetëm duke e ndarë atë me të tjerët, drita mund të ruhet dhe të rritet, përndryshe ajo do të zbehet dhe përfundimisht do të zhduket. Tani, më shumë se kurrë, bota ka nevojë për dritën e Krishtit. Është e nevojshme, sepse një jetë pa praninë e Zotit bëhet e mjerueshme, kthehet në një jetë pa dashuri, pa gëzim, pa dritë: një jetë në errësirë”, thotë Kryepeshkop Joani në mesazhin e tij, duke shtuar se vetëm prania e Tij mund të ndriçojë zemrat dhe shpirtrat tanë dhe mund t’i japë jetës sonë dritë e gëzim.

Për të festuar shpirtërisht Lindjen Krishtit, Kryepeshkopi bën thirrje që të kujdesemi për të tjerët gjatë këtyre ditëve festive, të përjetojmë më thellë shenjtërinë dhe madhështinë e kësaj dhurate hyjnore.

“Këtë mund ta realizojmë duke e pastruar zemrën tonë nga çdo ligësi dhe duke e mbushur atë me dashuri dhe përulësi ndaj të gjithë njerëzve, sidomos ndaj atyre që janë në nevojë, në varfëri, në sëmundje, në dëshpërim dhe në vetmi”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë