Nga Gazeta ‘Si’- Një nga çështjet të cilat edhe pak ditë më parë në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së e ngriti kryeministri Edi Rama ishte siguria ushqimore.
Kryenegociatorja Majlinda Dhuka u shpreh se Shqipëria ka për të bërë shumë në fushën e sigurisë ushqimore dhe cilësinë e tyre. Ajo theksoi se Shqipëria është në komunikim me Komisioni Europian për kohën e nevojshme në lidhje me këtë çështje.
“Këto standarde janë për të gjitha vendet anëtare të BE-së. Janë të njëjta standarde teksa i afrohet tregut të përbashkët europian. Njëkohësisht ku Shqipëria do bëhet anëtare e BE-së do bëhet pjesë e këtij tregu dhe rregullat do zbatohen si brenda në Shqipëri, ashtu edhe në produktet që çojmë në BE.
Në këtë kuptim është koha tani që të gjithë së bashku nën drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë, të gjithë fermerët, të gjithë grumbulluesit, prodhuesit, eksportuesit, tregtarët me shumicë dhe pakicë, të punojmë për t’iu afruar këtyre standardeve. Po punojmë së bashku me Ministrinë e Bujqësisë për të ndërtuar një plan gradual të afrimit gradual të standardeve të sigurisë ushqimore.
I kemi kërkuar KE-së kohën e nevojshme për të realizuar hapa të vegjël, por sistematikë dhe të sigurtë në drejtim të këtyre standardeve sepse në disa pjesë të raste do të thotë se disa do duhet të përmirësojnë pikat e tyre të prodhimit, të grumbullimit, mjetet e transportimit të produkteve, etj si këto. Jemi në bisedime me KE dhe vendet anëtare në lidhje me kohën e nevojshme që i duhet Shqipërisë për ta transformuar bujqësinë shqiptare në prodhim, eksportim. Është praktikë që e kanë ndjekur edhe vende të tjera që janë anëtarësuar para nesh në BE. Komunikimi me KE vazhdon”, tha Dhuka.
Ajo iu përgjigj edhe pyetjeve lidhur me lajmet se BE ka pezulluar fondet për agjendën digjitale të Shqipërisë.
Dhuka tha se qeveria nuk ka informacion për një masë të tillë.
“Unë jam njohur me interesin në disa media në lidhje me programet për digjitalizimin. BE e mbështet Shqipërinë në rrugën e digjitalizimit, sidomos në shërbimet si në nivel qendror dhe vendor, të cilat kanë rëndësi për të parandaluar dhe korrupsionin në sportel.
Kam folur me zyrtarët për fondin IPA, nuk rezulton që kemi ndonjë informim paraprak apo komunikim për një masë të tillë për pezullimin e fondeve për programet digjitale”, tha Dhuka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



