Kosova

Kryeministri spanjoll viziton Ballkanin, Kosova lihet jashtë agjendës

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, të premten(29 korrik) do të nisë një vizitë katërditore në shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Agjenda e udhëtimit në Ballkan do të përfshijë Beogradin, Sarajevën dhe Mostarin, Podgoricën, Shkupin dhe Tiranën. Listës i mungon Kosova, të cilën Spanja nuk e njeh ende si shtet të pavarur.

Megjithatë, çështja e dialogut Kosovë-Serbi pritet të jetë temë kryesore gjatë vizitës që Sanchezi do t’i bëjë Serbisë.

Në Samitin e Liderëve të BE-së me ata të Ballkanit në Bruksel në qershor, Sanchezi u shpreh pro që të “riaktivizohet e të ringjallet procesi i zgjerimit” për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Do të jetë hera e parë që një kryeministër i Spanjës viziton Serbinë pas disa dekadash.

Sipas analistëve në Serbi, vizita e Sanchezit ka rëndësi të madhe për shkak të raporteve ndërshtetërore, por edhe për çështjen e dialogut me Kosovën.

Strahinja Subotiç, nga Qendra për Politika Europiane, ka thënë se vizita e Sanchezit do të ketë në fokus tri çështje: Kosovën, Marrëveshjen për tregti për aeroplanë luftarakë dhe zgjerimin e BE-së.

“Mendoj se Spanja do të thotë se do të vazhdojë të përkrahë integritetin territorial të Serbisë dhe nëse shohim pesëshen e BE-së, Spanja është më e vendosura në këtë çështje. Nëse shohim Greqinë, Sllovakinë e Rumaninë, këto shtete na mbështesin në mënyrë më të moderuar, e Spanja bashkë me Qipron, e bëjnë më fuqishëm këtë. Prandaj, mendoj se Qeveria jonë do ta përdorë këtë për të marrë poenë tjerë politikë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë