Gazeta Si – Kryeministri sllovak Robert Fico, viktimë e një sulmi dhe i plagosur rëndë me tre të shtëna me armë zjarri nga Juraj Cintula, i është nënshtruar sërish një operacioni.
Kështu tha ministri i Mbrojtjes, Robert Kalinák. Operacioni zgjati rreth dy orë dhe mjekët u përpoqën të “eishikojnë gjendjen e pacientit” drejt një prognoze pozitive. Ministri nuk dha informacion më të saktë. “Situata mbetet shumë e rëndë”, shtoi ai.
“Do të duhen disa ditë përpara se të dimë me siguri se si do të zhvillohet situata”, – tha Kalinák.
Drejtori i spitalit Banska Bystrica, raportoi se kryeministri bëri një skanim kontrolli CT dhe, bazuar në rezultatet, ata hoqën indin e vdekur të mbetur pas plagës me armë zjarri.
“Gjendja e pacientit është vërtet e rëndë dhe ai është në terapi intensive”, tha drejtoresha e spitalit, Miriam Lapunikova. Sipas saj, gjendja e tij është shumë e rëndë, por është stabilizuar dhe është në vetëdije.
Juraj Cintula, 71-vjeçari që qëlloi kryeministrin sllovak, i tha policisë se qëllimi i tij ishte “ta lëndonte atë, jo ta vriste”.
Këtë e raportuan disa media sllovake, duke nënvizuar se sipas zërave në lidhje me atë që dolën nga dëshmia e Cintula-s, atentatori kishte planifikuar sulmin disa ditë më parë.
Cintula, i cili e posedonte armën ligjërisht, përballet me 25 vjet ose burgim të përjetshëm.
Ndërkohë kreu i opozitës në Sllovakinë progresive, Michal Simecka, ka bërë kallëzim penal për kërcënime me vdekje dhe ka dëshmuar në Agjencinë Kombëtare të Krimit.
“Kërcënimet më kanë ardhur mua, vajzës dhe partneres sime. Ishin disa, ishin specifike dhe drastike nga persona të caktuar. Fatkeqësisht, kjo nuk është asgjë e re”, tha Smecka për kërcënimet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




