Bota

Kryeministri sllovak, Fico: Jam i shqetësuar për gjendjen psikologjike të Trump!

Gazeta Si – Kryeministri sllovak, Robert Fico u tha udhëheqësve europianë gjatë një takimi joformal në punimet e Këshillit Europian të javës së kaluar se ishte i tronditur nga një takim me Donald Trump. Sipas asaj që 5 diplomatë europianë të informuar mbi bisedën, i thanë “Politico Europe”.

Fico, një nga të paktët udhëheqës të BE-së që mbështet shpesh qëndrimin e Trump mbi dobësitë e Europës, thuhet se shprehu shqetësim për “gjendjen psikologjike” të presidentit amerikan.

Në veçanti, sipas dy diplomatëve, Fico përdori termin “i rrezikshëm” për të përshkruar qëndrimin e presidentit amerikan gjatë takimit të tyre ballë për ballë në pronën e Trump në Mar-a-Lago në Florida më 17 janar.

Takimi midis Ficos – i cili ishte viktimë e një sulmi më 15 maj 2024, duke i rrezikuar jetën për disa ditë – dhe homologëve të tij europianë, u zhvillua në Bruksel më 22 janar, në punimet e samitit të BE-së të organizuar për të diskutuar marrëdhëniet transatlantike pas kërcënimeve të Trump në lidhje me Groenlandën.

Burimet e “Politico”-s janë katër diplomatë nga katër vende europiane dhe një përfaqësues i lartë i një organi të Bashkimit Evropian.

Të gjithë folën në mënyrë anonime. Asnjë nga këta diplomatë nuk ishte i pranishëm kur foli Fico. Megjithatë, të gjithë u informuan për përmbajtjen e bisedës nga eprorët e tyre, të cilët ishin të pranishëm. Dhe rrëfimet e tyre janë konsistente.

Fico, tha një nga burimet, dukej i “traumatizuar” nga takimi i tij me Trumpin, të cilin e përshkroi si “të çmendur”.

Këto janë fjalët e sakta që përdori diplomati që mori pjesë në takimin midis kryeministrit sllovak dhe udhëheqësve të tjerë evropianë.

Komentet e Ficos janë veçanërisht të rëndësishme sepse, midis politikanëve evropianë, ai është mes atyre që e mbështesin Trumpin.

Edhe pse “Politico” konfirmoi versionin e raportuar nga burime diplomatike nga disa vende, udhëheqësi sllovak e mohoi lajmin dhe shkroi në X: “Duhet të hedh poshtë me vendosmëri gënjeshtrat e portalit ‘Politico’ se si e vlerësova takimin tim me Presidentin e SHBA-ve, D.Trump gjatë një samiti informal në Bruksel. Askush nuk dëgjoi asgjë, askush nuk pa asgjë, nuk ka dëshmitarë, por asgjë nuk e ndaloi portalin të shpikte gënjeshtra”.

Fico shtoi: “Pajtohem me shumë nga strategjitë e presidentit amerikan, por jo me disa. Sinqerisht prisja që, pas deklaratës sime të ashpër për Venezuelën, vizita ime në Shtetet e Bashkuara të anulohej. Kjo nuk ndodhi, gjë që më bën ta vlerësoj edhe më shumë takimin me presidentin amerikan”.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, tha: “Ky është një lajm absolutisht i rremë, i përhapur nga diplomatë anonimë europianë që përpiqen të duken të rëndësishëm. Takimi në Mar-a-Lago ishte pozitiv dhe produktiv”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë