Politike

Kryemadhi: Veglat e Ramës i pamë me toga të zeza. Na lanë vetëm 3 orë kohë për t’u njohur me provat

Nga Gazeta ‘Si’-Monika Kryemadhi sulmoi prokurorët e SPAK, duke i quajtur vegla të Edi Ramës. Pas ndërprerjes së seancës në Gjykatën e Posaçme për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj saj dhe Ilir Metës, Kryemadhi nuk u kursye ndaj tyre.

“Sapo pashë 3 musketjerët e drejtësisë së Edi Ramës, Altin Dumanin, Sotir Kllapin dhe Arben Krajën dhe gjyqtarin Erion Çela. Ishte eksperienca ime e parë në sallë gjyqi. Pati mashtrim të drejtpërdrejtë nga prokurori Arben Kraja kur tha që Meta është marrë në mënyrë normale dhe ka pranuar aktin, ku të gjithë jeni dëshmitarë që Meta u rrëmbye nga një grup banditësh pa identifikim dhe me kallashnikov. Kërkuam të njiheshim me provat e thashethemeve që janë ngritur.

Bujaria e gjyqtarit të drejtësisë së kastruar na la kohë 3 orë për t’u njohur me provat. Dosjen që të gjithë ju keni shpërndarë nëpër media, që në fakt, qoftë prokuroria apo qoft gjykata kanë shkelur nenin 279 të kodit të procedurë spenale të nxjerrjes së sekretit hetimor. Kjo godina këtu nuk është drejtësia e re, por departamenti i marrëdhënieve të publikut, propagandës dhe mashtrimit të Edi Ramës. Sot, kam kuptuar që veglat njëpërdorimshme të Edi Ramës dhe gjithë grupit të strukturuar kriminal, që nga inceneratori i Tiranës, që nga 5D e famshme, i pamë në fytyrat e tyre të veshur me togat e zeza”, tha Kryemadhi.

“Prandaj nuk ka më asnjë shpresë për një sistem drejtësie të kapur, të manipuluar dhe kriminale”.

Ajo shtoi se nuk ka frikë të deklarojë pasurinë e saj.

“Unë nuk kam shumë besim tek SPAK. Çfarë blerjesh kam bërë, unë këtë xhaketën me lekët e mia e kam blerë. Nuk e kam fustanin si Ajola Xoxa, nuk kam bileta avioni që janë mbi 200 mijë euro. Unë kam deklaruar shpenzime të tjera. Nuk kam frikë të deklaroj paratë e mia dhe të prindërve. Kam lindur në Tiranë , nuk kam ardhur këtu. Nëse do të kisha para për të fshehur nuk do të përdorja karta krediti”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë