Politike

Kryemadhi: Rama ushtroi gjenocid, popujt i janë përgjigjur me luftë

Protesta e së enjtes pasdite ka nisur më e ashpër se ajo javës së kaluar. Opozita bllokoi 12 akset rrugore kombëtare si rezultat i përshkallëzimit të aksionit të mosbindjes civile. Në zonën e Plepava në Durrës ka qenë kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila në një pronocim për median u shfaq më e ashpër në qëndrimet e saj. Ajo akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka ushtruar gjenocid ndaj popullit shqiptar, duke larguar 500 mijë veta nga Shqipëria.
“Këto akoma nuk kanë filluar që të kuptojnë që mosbindja civile dhe përshkallëzimi i protestave akoma nuk ka filluar. Jemi akoma në atë shkallë për t’i kuptuar dhe për t’i thënë që sot shqiptarët, jo opozita, por shqiptarët janë të gatshëm për t’u përballur dhe për ti dhënë fund këtij gjenocidi heshtës që ka bërë Edi rama ndaj qytetarëve. Gjenocidet në çdo vend të botës kanë krijuar shpërngulje të mëdha njerëzore. Shqipëria sot ka mbi 500 mijë shqiptarë të shpërngulur, që do të thotë që është një gjenocid heshtës ndaj të rinjve shqiptarë, që gjithmonë të gjitha kombet dhe të gjithë popujt i janë kundërpërgjigjur me luftë. Ne themi që nuk është e nevojshme për të shkuar atje, sepse një i çmendur ka marrë peng një parti politike dhe disa godina. Opozita nuk ka si qëllim as pushtimin e godinave dhe as pushtimin e rrugëve. Opozita ka si qëllim të pushtojë mendjen dhe zemrën e shqiptarëve, por ajo që është më e rëndësishme është se ne sot duhet ti japim shqiptarëve shpresën që ky vend mund të bëhet një ditë”, deklaroi Kryemadhi.

Ajo theksoi se opozita synon që të shembë këtë sistem, pasi ka shkatërruar shpresat e shqiptarëve.
“Ne do të bëjmë çdo lloj proteste, por mbi të gjitha çdo lloj lëvizje politike për të sensibilizuar shqiptarë. Jemi të përgatitur për ti treguar Edi Ramës që këtë popull nuk e merr dot peng. Javës tjetër nuk i dihet se çfarë do ndodhi, kështu që është e rëndësishme për të kuptuar që aksioni i opozitës, që tashmë nuk është thjesht aksione opozite, por është aksioni që drejton qytetarët në marrjen në dorë të fateve dhe të gjithë atyre situatave që e kanë detyruar që sot të jemi në rrugë. E kanë detyruar për shkak të kapjes”, theksoi Kryemadhi.
Ajo ndërkohë ka hedhur poshtë deklaratat e kryeministrit Edi Rama se opozita është bllokuar ndërkombëtarisht, duke i dhënë përgjigje dhe në lidhje me nismën e mazhorancës për ashpërsimin e Kodit Penal.
” Unë nuk e besoj fare z.Rama. Opozita nuk është absolutisht e izoluar me ndërkombëtarët, përkundrazi jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe të shpesht me ndërkombëtarët. Sigurisht, jo me ndërkombëtarë që vijnë për turizëm në Shqipëri, as me ndërkombëtarë të cilët kërkojnë të kalojnë uikende të gjata dhe me rroga marramendëse në Shqipëri. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me atë ndërkombëtarë, të cilëve ju intereson stabiliteti në rajon dhe u intereson destabiliteti i krimit të organizuar. Atëherë i pari që do të hyjë në burg do të jetë Edi Rama, sepse është i vetmi politikan dhe kryeministër që është i faktuar dhe është kapur me presh në dorë, duke vjedhur, duke intimiduar dhe akoma më keq duke përdorur krimin e organizuar për blerjen e votave”, thkesoi Kryemadhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë