Politike

Kryemadhi: Rama po kërcënon prokurorët të mos hetojnë korrupsionin e tij

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi reagoi ndaj qëndrimeve të përsëritura të kryeministrit Edi Rama ndaj SPAK.   

“Në vitin 2016 miratuam me 140 vota dhe ndihmën e SHBA-BE një reformë në drejtësi që të hiqnim përfundimisht duart e politikës nga drejtësia.

Sot, kryeministri i vendit e ka vendosur partinë e tij në pushtet, në funksion të kërcënimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, që të mos dënojnë korrupsionin e grupit të tij.

Gjithçka e thënë me logon e partisë socialiste në sfond.

Moralisht e turpshme, ligjërisht e dënueshme!

Rama deklaron se ka udhëhequr Reformën në Drejtësi, por ajo nuk është si reforma në ujin e pijshëm që ai me Alqin e inceneratorëve e përdorën për të zhytur drejt falimentit bashkitë dhe duke rënduar familjet shqiptare përmes taksave të larta”, shkruan ajo.

Më tej Kryemadhi vëren:  “Reformën në Drejtësi e konceptuam dhe miratuam me 140 vota që të mos ishte Ramaforma e radhës.

Sot shohim si Rama i ngërdheshet prokurorëve dhe gjyqtarëve, duke i thënë se i ka ndihmuar të kalojnë vettingun, ndaj është herezi që sistemi i drejtësisë të hetojë kryekorruptuesin e sistemit dhe bandën e tij.

Një sistem i pavarur i drejtësisë është jetik për të frenuar shpopullimin dhe nxitur integrimin evropian të Shqipërisë, ndërsa synimet e kryeministrit janë krejt të ndryshme. Tik Tak ora jote po afron!”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë