Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi deklaron se Progres-Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë është një arsye më shumë për opozitën dhe gjithë qytetarët shqiptarë të mos tërhiqen në kauzën e tyre, të drejtën legjitime ku vlerat europiane fillojnë me votën e lirë dhe mundësinë për të zgjedhur!
Nëpërmjet një statusi në Facebook, Kryemadhi shprehet se “rekomandimi pozitiv është pjesë e statusit të Shqipërisë që prej vitit 2016 dhe se askush nuk e mendonte 3 vite më parë, se do të endeshim kaq gjatë, në pritjen e pafundme të çeljes së negociatave dhe zvarritjes në keqqeverisje të një qeverie që është dehur nga pushteti!”.
Lidereja e kësaj partie thekson se e vlerëson këtë raport më shumë se çdo raport tjetër, pasi më në fund risjell në vëmendje shtyllën kryesore të ekzistencës së një shteti, ekonominë. “Në fund të fundit integrim do të thotë një ekonomi më e fortë dhe më konkurrente, do të thotë më shumë investime dhe vende pune. Por vizioni i cunguar i një artisti nuk mundet kurrë të kuptojë nevojën ulëritëse që ka çdo familje shqiptare për të ndjerë siguri, për të ushqyer fëmijët e për t’i dhënë frymëmarrje biznesit. Për të dhe qeverinë e tij, koncesionet dhe PPP janë e vetmja alternativë, për të falimentuar shqiptarët dhe për të pastruar paratë e pista. Ne mbetemi të vendosur t’i japim vendit mundësinë e çeljes së negociatave, por jo në partneritet me krimin, por vetëm me shqiptarët! Era e ndryshimit është shumë pranë dhe bashkë me të, edhe Shqipëria Europiane!”, shkruan Kryemadhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




