Drejtësia

Kryemadhi në SPAK: Do ketë dëshmitarë interesantë për dosjen time

Gazeta Si – Monika Kryemadhi ka paralajmëruar se do të ketë “shumë dëshmitarë interesantë” në dosjen e saj hetimore, ku është marrë e pandehur për 3 akuza.

Nga godina e SPAK, ku zbatoi këtë të hënë masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, deputetja theksoi se nuk do të kërkojë gjykim të shkurtuar.

“Dosja ka zbritur nga kati i tretë në katin e parë. Nuk ka asnjë ndryshim, gjatë gjithë kësaj kohe që kam marrë fashikujt, gjëja e parë që kam lexuar kanë qenë letër porositë. Nga të gjitha ato që kam parë, duket haptas një shpërdorim detyre nga ana e SPAK. Këto janë gjëra me të cilat do njiheni edhe ju më vonë pasi do konsultohem me avokatët”.

Deputetja e PL, theksoi se “nuk do ketë gjykim të shkurtuar. Pasi përveçse do kërkoj dëshmitarët që ka thirrur SPAK, do kërkoj edhe të tjerë. Pasi 100 e ca të thirrur, asnjë nuk ka asnjë deponim kundër meje apo Metës”,- deklaroi Kryemadhi.

Ajo bëri me dije se do të kërkojë të pyetet edhe kushëriri i saj, biznesmeni Ardian Shatku. Ndërsa nuk zbuloi emra të tjerë, por premtoi zhvillime “interesante”.

“Në gjithë dosjen time prej shumë faqesh, nuk më duhen llogaritë e Kastratit apo Manes, as konktratat e shtëpisë. Të gjitha këto janë gjëra që SPAK i ka përdorur për të marrë informacione ndaj bizneseve të ndryshme dhe mund ta shoh si tejkalim të detyrës për të ushtruar intimidim të bizneseve të ndryshme që mund të kenë qenë pjesë e komunikimit. Megjithatë kjo është për t’u parë. Unë do të shikoj edhe thirrjen e disa dëshmitarëve të tjerë kur të fillojë gjyqi. Është shumë shpejt për ta djegur si lajm, por ta dini se emrat do të jenë shumë interesantë”, – u shpreh Kryemadhi.

Më 29 gusht, Prokuroria e Posaçme ka çuar në gjyq ish-presidentin e vendit Ilir Meta dhe ish-bashkëshorten e saj, Kryemadh, ndaj të cilëve rëndojnë tre akuza, “korrupsion”, “pastrim parash” dhe “mosdeklarimit të pasurisë”.

Për dyshimet se kanë ndihmuar në pastrimin e parave, në gjyq është çuar edhe Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit dhe Ema Çoku.

SPAK thotë se hetimet për Metën dhe Kryemadhin kanë zbuluar disa skema korrupsioni dhe përdorimi të pushtetit politik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë