Politike

Kryemadhi: Mos hapja e negociatave sjell izolimin e vendit

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi deklaroi se mos hapja e negociatave për Shqipërinë do të sjellë pasoja kritike për Shqipërinë dhe shqiptarët, duke sjellë izolimin e vendit.

Kryemadhi theksoi se për hapjen e negociatave duhet dialog politik dhe realizimi i reformave, por duke përmendur edhe mesazhin e Komisionerit Hahn, Kryetarja e LSI-së theksoi se opozita i ka luajtur të gjitha gurët e saj, ndërkohë që mungon dialogu politik, në Parlament opozitës i mohohet e drejta e fjalës si në diktaturë.

“Hapja e negociatave krijon një stabilitet ekonomik dhe politik për Shqipërinë. Hapja e negociatave për Shqipërinë ka një rëndësi shumë të madhe sepse krijon pozicionimin e Shqipërisë përfundimisht në krahun e Bashkimit Europian, gjë që për të cilën ne në këto 27 vite tranzicionit të politikës shqiptare kemi pasur të domosdoshme pozicionimin përfundimtar të Shqipërisë. Dhe ajo ç’ka dua të them është që anëtarësimi i Shqipërisë dhe hapja e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian ka një rëndësi të veçantë, por që të arrijmë në këto rezultate, pra për të hapur negociatat është shumë herë e rëndësishme që të realizohet dialogu politik”, – tha ajo gjatë një takimi me strukturat e LSI-së në Bashkinë e Vorës.

Ajo theksoi se “Shqipëria e ka të domosdoshme investimet e huaja sepse krijojnë më shumë mundësi punësimi dhe krijojnë një lëvizje dhe frymëmarrje për ekonominë shqiptare. Mos hapja e negociatave është vdekjeprurëse për shqiptarët, pse është vdekjeprurëse hapja e negociatave, sepse mos hapja e negociatave do të thotë që Shqipëria do të izolohet çdo ditë dhe më shumë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë