Gazeta Si - Avokati Genc Gjokutaj, është shprehur se vendimi i Gjykatës së Posaçme për të lënë në qeli presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ishte i pritur.
“Ne bëmë mbrojtjen tonë. Ishte vendim që e prisnim, vendim politik i marrë jashtë kësaj gjykate. Do të ndjekim rrugën e ankimit”, tha ai.
Në lidhje me tensionet në seancë, ai tha se Meta në asnjë moment nuk e ka humbur qetësinë. “Nuk e humbi qetësinë. Argumenti thuhet me zë të lartë. Është në të drejtën e tij”, tha Gjokutaj.
Gjokutaj paralajmëroi një padi ndaj Policisë së Shtetit për mënyrën e arrestimit të Ilir Metës. “Jemi rrugës për të ngritur një padi ndaj policisë për arrestimin e Metës”.
Gjokutaj dha përgjigje edhe për akuzat e ngritura ndaj Ilir Metës. “Sa i përket punës së biznesmenëve, Meta ka njohje, por njohja nuk është miqësi. Çështja e lobimit është nul sepse nuk është ekzekutuar.
Gjatë fjalës së saj pas vendimit të gjykatës, Monika Kryemadhi ka treguar bisedën që ka pasur me avokatin Genc Gjokutaj, të cilit, sipas saj i ka thënë se është “jo serioz”, pasi duhet të kishte kërkuar “arrest me burg” për të dhe “detyrim paraqitje” për Ilir Metën.
"I thashë Gent Gjokutajt që ti je avokat jo serioz sepse duhej të kërkoje “arrest me burg” për mua dhe “detyrim paraqitje” për Ilir Metën sepse në 167 faqe janë veprat e mia për të cilat aludohet se akuzohet Ilir Meta. Unë kam qenë edhe ndërmjetësuesja që e kam prezantuar me filanin apo filanen. Nuk ka lidhje Ilir Meta. Ilir Meta ka qenë kryetar Parlamenti, ka qenë President. Këto janë absurditete që i kanë ngritur. Unë ja kërkova dhe Prokurorisë se kjo çështje duhet të ishte e ndarë".
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.