Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka qenë thuajse në një linjë me Berishën kur bëhet fjalë për mënyrën se si PD-ja e Lulzim Bashës po e menaxhon hetimin në komisionin parlamentar për inceneratorët. Kryemadhi shkruan se denoncimin e Bashës për të atin e deputetit të PS-së, Alqi Bllako ajo e ka bërë këtu e një vit më parë në emisionin “Opinion”, ndërsa ka shigjetuar edhe kryetaren e komisionit Jorida Tabaku që të fokusohet në denoncimet e saj tek Erion Veliaj.
“Sot një deputet i Kuvendit (Basha) paska përmendur se babai i deputetit të PS Alqi Bllako, është punësuar me pagë 10 milionë lekë në muaj tek inceneratori i Tiranës.
Fakt ky, që unë e kam ekspozuar para 1 viti, në emisionin Opinion të gazetarit Blendi Fevziu, në datë 3 Mars 2021 (https://youtu.be/yëbDsYXBGD4), si dhe e kam denoncuar me prova në SPAK.
Deputeti në fjalë dhe deputetja tjetër, që drejton komisionin hetimor, le të merren me përgjegjësinë penale të Erion Veliaj, nëse e kanë kaq seriozisht zbardhjen e aferës. Kryetarit të bashkisë që ka shpërdoruar detyrën duke lidhur taksat e qytetarëve të kryeqytetit për 30 vjet me koncesionin e inceneratorit të Qarkut Tiranë, pa marrë vendimin e Këshillit Bashkiak, ndryshe nga çfarë parashikon ligji i vetqeverisjes vendore.
Ose, nëse kanë lidhur një 17 Maj të dytë, që përmes komisionit hetimor të gënjejnë publikun dhe t’i bëjnë presion SPAK, le ta deklarojnë publikisht.
Koka nuk ishte koka e inceneratorëve. Bllako e ka padinë me emër nga LSI për rolin e tij dhe pagën e babait. Ashtu edhe Rama, Veliaj, Subashi, e ministrat rilindas të përfshirë.
Asnjë kompromis të nëndheshëm nuk do mund të amnistojë përgjegjësit dhe të varrosë të vërtetën! Ajo do jetë edhe më publike, edhe më e qartë! Topi në fushën e SPAK…”, shkruan Kryemadhi
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.