Gazeta Si – Monika Kryemadhi ka akuzuar ish-ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim për arrestimin dhe burgosjen e Ilir Metës, i cili prej tetorit 2024 mbahet në qeli për llogari të hetimeve të SPAK.
Nga SPAK, ku zbatoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, Kryemadhi tha se “rrëmbimi i Ilir Metës është bërë me urdhër të një gruaje që ka pasur inat personal me Ilir Metën, që sot është askushi, Yuri Kim”.
Sipas Kryemadhit, ish-ambasadorja Kim “i premtoi parajsën mbi tokë institucionit të drejtësisë. Nga ana tjetër edhe Edi Ramës i dha një mundësi për të treguar se hakmarrjen e tij personale e kryen në mënyrë perfektë nga institucioni i drejtësisë. Mos harroni se ne nuk kemi kërkuar një institucion të burgosë 300-3000 veta, por drejtësi për shqiptarët”.
Më pas, deputetja, përdori tone të ashpra ndaj zyrtarëve të Partisë së Lirisë, të cilët nuk i përmendi me emra, por i cilësoi si “mercenarë”.
Sipas saj, janë përhapur thashetheme se ajo po bën fushatë për PS, por në fakt theksoi përkushtimin e saj së bashku me fëmijët për të grumbulluar vota për Metën.
“Me paturpësinë më të madhe u thonë mos dëgjoni Monikën dhe vjen dhe kërkon votë për PS si pasojë e paaftësisë së tyre për të shkuar derë më derë për të mbledhur vota. U bëj thirre të gjithë ish-anëtarëve të LSI apo atyre aktualë të PL, të votojnë Ilir Metën. Se çfarë thonë mercenarët e Partisë së Lirisë, i lini mënjanë. Hyni dhe shihni kush merr rrogë te PL, ata janë mercenarët”- u shpreh Kryemadhi.
Sipas saj, pavarësisht se në burg, Meta ka angazhuar njerëzit e afërt për të pasur një fushatë sa më të frytshme, duke marrë parasysh se garon në listën e hapur.
“Dalja e Metës në listë të hapur tregoi se ka vendim politik për të unifikuar votën dhe për të çuar sa më shumë vota në kutinë e votimit. Është problematike sepse kisha bërë plan të mos merresha fare, por të gjithë njerëzit që kanë një lloj historiku me të, i ka nxitur të dalin në fushatë për të”- shtoi deputetja.
Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës, zyrtarizoi divorcin mes Metës dhe Kryemadhit pas 27 vitesh martesë.
Ajo iu përgjigj edhe pyetjes se përse nuk ishte në seancën e divorcit me Ilir Metën. “Kush ka iniciuar divorcin le ta komandojë. Nuk ka pse të kem seancë pajtimi për një gjë që dikush do të ndërpresë marrë dhënien me mua, nuk kam pse të lutem dhe të pres të pajtohem”, – u shpreh Kryemadhi.
Si Meta dhe Kryemadhi janë në hetim nga SPAK dhe ndaj tyre rëndojnë 3 akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish, në çështjen CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA, ndërsa ka nisur edhe hetim pasuror.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.