Politike

Kryemadhi publikon dokumente të reja, tregon si kryhej evazioni fiskal me inceneratorët

Monika Kryemadhi doli para gazetarëve këtë të hënë për të denoncuar, sipas saj, prova të reja të aferës së inceneratorëve. Këtë herë, kryetarja e LSI-së foli për evazion fiskal përmes një rrjeti kompanish anonime të lidhura me kompanitë e inceneratorëve në një vlerë rreth 30 mln euro.

Ajo tha se i gjithë evazioni fiskal është bërë në dijeninë e Kryeministrit.

“I gjithë sistemi ka funksionuar me një mbikëqyrje perfekte mga kryeministri. Nëse do kishim hetim tatimor që do hetonte do shikonte që frutat ekzotike janë shndërruar në asfalt. Të gjithë materialin ia kemi bërë gati prokurorisë së posaçme. Për të 24 kompanitë do të informojmë prokurorinë në mënyrë që ata të mos bëjnë asgjë tejtër, por vetëm të verifikojnë. Të verifikojnë edhe këta 94-95 vjeçarët që kanë blerë biznese 30 milionë dollarë”, tha Kryemadhi.

Sipas regjistrave të blerjeve dhe shitjeve të këtyre kompanive, që publikoi Kryemadhi, ato kanë blerë fruta, ujë dhe ushqime në vlera prej miliona dollarësh, ndërsa shisnin beton, asfalt e inerte.

“Frutat janë shkëmbyer në inerte. Ushqimet ,vaji, sheqeri, janë kthyer në asfalt dhe uji i pijshëm në beton. Kompanitë fiktive shkëmbejnë fatura me njëra-tjetrën. Në këto kompani funksionojnë blerjet fiktive tek ushqimet, uji i pijshëm, mund të jenë 8 mln dollarë ujë i pijshëm, 6-7 mln dollarë fruta ekzotike. Faturat janë të shumta dhe nën 3 mln lek secila, që të mos kryheshin blerjet përmes bankave”, tha Kryemadhi.

Kryetarja e LSI tha se të gjithë dokumentacionin e ri do ta dorëzojë në SPAK.

Skema e qarkullimit të parave sipas dokumentacioneve të publikuara nga Kryemadhi

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë