“Do ta bëjmë kulturë të punës të Partisë Socialiste ndërveprimin intensiv me njerëzit”. Ky ishte mesazhi e porosia që u përcolli të tijve Edi Rama gjatë punimeve të Kongresit, duke sjellë si shembull në këtë rast procesin e këshillimit kombëtar.
E nën shembullin e këtij këshillimi, Rama u kërkoi që të gjitha qelizat e socialistëve, nga baza deri në majë të dëgjojnë anëtarësinë, si një proces fillestar këshillimi e më pas vendimmarrjeje brenda partisë, në Qeveri dhe në Kuvend.
Porosia e Ramës u reflektua edhe në fjalimet e figurave kryesore të vendimmarrjes brenda partisë. Si kryetar i grupit parlamentar, Taulant Balla foli për përfshirjen e qytetarëve në procesin vendimmarrës të Kuvendit.
“Këshillimi Kombëtar ishte prova e kundërt dhe shembulli më konkret i dëshirës së pamatshme të qytetarëve për tu shprehur dhe për tu përfshirë direkt. Dua ta them sot se ne duhet të ndërmarrim në Kuvendin e Shqipërisë, natyrisht bashkë me opozitën, një reformë të thellë për përfshirjen e qytetarëve në procesin legjislativ. Përfaqësimi është një proces dhe për këtë nuk mund të realizohet vetëm në momentin e zgjedhjeve politike, por ai duhet të ketë një vazhdimësi përgjatë gjithë legjislaturës. Hapja reale e Kuvendit për publikun, në të gjitha format e tij, është i domosdoshme. Për këtë qëllim duhet të angazhohemi për të marrë një sërë masash ndërveprimi me publikun”, tha ai.
Ditmir Bushati e sheh demokracinë e brendshme të partisë si pasqyrë të qeverisjes dhe vetëm përmes hapjes, dialogut e këshillimit me qytetarët e opozitën, ai thotë se politika mund të bëhet më tërheqëse për njerëzit.
“Kemi përgjegjësi ta bëjmë politikën më tërheqëse, politika bëhet tërheqëse kur ka aspirate të bazuara në vlera, të shërbejë si bashkim vlerash, por vetëm kur dihet destinacioni, mund të flitet për rrugën, na duhet angazhim rreth ideve politike, si busull për orientimin e veprimit politik. Duhet të mos biem në kurthin e vetëkënaqësisë që na çon në rrudhje, po kështu situate e pazakontë që po përjeton opozita, duhet të na shqetësojë, se nuk funksionon politika, pa pasur alternativë tjetër”, tha ai.
Sekretari i Përgjithshëm, Damian Gjiknuri u shpreh se statuti i ri kontribuon në drejtim të hapjes së partisë dhe sfidave të reja të kohës, edhe përmes këshillimit me anëtarësinë dhe qytetarët për çdo vendimmarrje.
“Sot mund të identifikojmë nevojën për përfaqësimin ne çdo nivel pushteti. Demokratizmi i partisë është kusht kryesore për demokracinë e vendit. Ne do ta bëjmë partinë të hapur për këdo që dëshiron që të japë kontribut. Në zgjedhjet e ardhshme diktohet nevoja për rregulla të reja statutore. Kërkojnë hapësirë më të madhe për përfshirjen e sa më shumë strukturave dhe organizatave të reja për t’i përfshirë brenda nesh. Të urtësohesh, kur të tjerër bërtasin është në ADN e kësaj partie”, deklaroi ai.
Elisa Spiropali u ndal gjatë të situata e opozitës dhe lufta e brendshme në PD. Për Bashën dhe Berishën tha se janë e njëjta monedhë.
“Kriza ciklike që ka shoqëruar humbjet ciklike të saj, e ka bërë opozitën më të dobët. E ka shndërruar atë nga qortuese problemesh, në një problem që duhet zgjidhur. E ka kthyer nga pol ekuilibrues dhe kontrollues të pushtetit, në një pushtet të pakontrolluar nga vetëdija politike dhe të çekuilibruar. Dy B-të e PD-së janë i njëjti thelb, me formë të ndryshme. Është e njëjta monedhë e hedhur në hava, që si të bjerë në një anë, si të bjerë në anën tjetër, nuk ndryshon asgjë në mentalitetin e tyre humbës, egoist dhe apolitik. Duke rrezikuar kështu seriozisht, që nga 200 lekë që kushtonte hipoteka e vulës, të bëhet siç po thonë edhe ata vetë, dy lekë parti. Kontrasti ynë me ta është shumëplanësh”, deklaroi ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.