Ekonomi

Kryeekonomistja e OECD: Bota po nënvlerëson ndikimin ekonomik të luftës

“Qeveritë nuk janë mjaft të vetëdijshme për pasojat ekonomike më të gjata nga pushtimi rus në Ukrainë”, tha kryeekonomistja e Organizatës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik(OECD), Laurence Boone.

“Unë me të vërtetë besoj se ne po nënvlerësojmë ndikimin e kësaj lufte,” tha Boone për Televizionin Bloomberg në Cernobbio, Itali, të premten(31 mars).

Kryeekonomistja Laurence Boone

 “Sa më gjatë të zgjasë lufta, aq më shumë pasiguri kemi dhe aq më të shqetësuar jemi. Në fillim të këtij muaji, OECD me bazë në Paris vlerësoi se efektet e konfliktit do të heqin më shumë se 1 pikë përqindje nga rritja globale këtë vit dhe do të rrisin inflacionin me 2.5 pikë përqindje të mëtejshme nga nivelet tashmë të larta.

“Ne do të kemi pasoja afatgjata në sigurinë e energjisë, sigurinë ushqimore, sigurinë digjitale, sistemet e pagesave, tregtinë”, përveç problemit të rritjes së fluksit të refugjatëve në të gjithë botën, tha Boone.

Nëse numri i njerëzve që ikin nga Ukraina arrin në 5 milionë, kostot për t’i ndihmuar ata të vendosen dhe të përshtaten mund të arrijnë 0.5% të produktit të brendshëm bruto të Bashkimit Europian, tha ajo, me rreth 12.500 euro (13.835 dollarë) që zakonisht nevojiten për refugjat.

“Është shumë, por me të vërtetë ia vlen”, tha ajo.

Inflacioni nëpër botë është rritur në nivele të frikshme.

Inflacioni në Spanjë ka arritur në nivelin më të lartë në pothuajse 37 vjetët e fundit. Rritja e inflacionit është rritur për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë pas pushtimit rus të Ukrainës.

Sipas të dhënave të prezantuara nga Qeveria spanjolle më 30 mars, inflacioni u rrit në 9.8 për qind në mars nga 7.6 sa ishte në shkurt. Ky është niveli më i lartë i inflacionit që prej majit të vitit 1985.

“Kjo është një shifër e keqe që prek ekonominë tonë, veçmas grupet më të ndjeshme… për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë”, tha kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez.

Që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, çmimet e naftës janë rritur dhe sektorët e transportit dhe bujqësisë së Spanjës kanë zhvilluar protesta duke kërkuar ndihmë nga shteti.

Sipas statistikave të prezantuara për muajin mars  rritja e çmimeve të karburanteve dhe energjisë elektrike, ka rritur edhe çmimet e produkteve ushqimore.

Qeveria e Sanchezit miratoi një plan për t’iu ofruar 16 miliardë dollarë ndihmë direkte, në formë të borxheve për kompanitë që janë prekur nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.

Masat përfshijnë një zbritje të çmimit për 20 centë për një litër karburant, teksa Qeveria do të paguajë 15 centë dhe pjesa tjetër do të mbulohet nga shitësit e karburanteve.

Burimi: Bloomberg/Përshtati Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë