Ministri austriak i Punëve të Jashtme, Aleksandar Shalenberg do të vizitojë këtë fundjavë Shkupin dhe Tiranën në përpjekje të vazhdojë angazhimet e qeverisë austriake për të përshpejtuar procesin e zgjerimit të BE-së dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor.
“Veçantia e kësaj vizite është se ministri Shalenberg do të udhëtojë së bashku me kolegët e tij nga Sllovenia dhe Çekia, Anzhe Logar dhe Jakub Kulhanek”, tha ministria e jashtme austriake.
Para udhëtimit drejt Shkupit dhe Tiranës, Shalenberg tha se vizita është sinjal i qartë se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, si edhe të gjitha vendet e tjera të rajonit, mund të mbështeten tek Austria.
Ai theksoi se viti 2020 është vit i humbur për të gjithë rajonin dhe se shtyrja e hapjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është një dështim i madh.
“Ky vit, viti 2021, nuk duhet të humbet sërish. Dëmi i shkaktuar bëhet gjithnjë e më i madh”, deklaroi Shalenberg.
Sipas tij, në Ballkanin Perëndimor po bëhet luftë për modelin e jetës dhe paralajmëroi se nëse BE-ja nuk përmbush premtimet, atëherë vakumin do ta mbushin shtete të tjera.
Shalenberg është duke u konsultuar me homologun e tij slloven, vendi i së cilit do ta ndërmarrë presidencën e BE-së më 1 korrik dhe shefin e diplomacisë çeke për të cilin kjo është vizita e parë në rajon
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




