Gazeta Si- Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka dëshmuar këtë të enjte në SPAK për rreth 5 orë, si person që dyshohet se ka dijeni për hetimin e nisur në lidhje me veprën penale të “korrupsionit pasiv” dhe për hetim pasuror.
Pasi doli prej andej rreth orës 14:20 (u paraqit në orën 09:00), Veliaj nuk pranoi të komentojë për mediat që e pritën tek dera e SPAK, por tha se do të japë detaje në mbledhjen e Këshillin Bashkiak, që zhvillohet në Bashkinë e Tiranës.
Kryebashkiaku nuk bëri asnjë koment dhe vetëm tha se do të flasë “live”, por teksa gazetarët u përpoqën që t’i afroheshin ta pyesnin, ata u penguan nga disa persona të veshur civil dhe pa asnjë shenjë dalluese, të cilët kanë bërë truprojën e Veliajt para SPAK-ut.
Pak para se të dilte nga SPAK Veliaj, në ato ambiente u fut Belind Këlliçi, i cili është një nga përfaqësuesit e opozitës që ka ngritur më shumë akuza ndaj kreut të bashkisë së Tiranës.
Megjithatë, është e paqartë nëse Këlliçi është thirrur në SPAK për të njëjtën çështje. “Pa merak. Unë jam përherë transparent. Do të futem edhe do t’iu njoftoi”, tha Belind Këlliçi në hyrje të SPAK.
Sipas burimeve, mësohet se Veliaj ka dhënë shpjegime para prokurorit Olsi Dado në lidhje me hetimin pasuror të regjistuar nga SPAK për veprën penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”.
Kjo është hera e dytë që Veliaj paraqitet në SPAK, pasi herën e parë u paraqit më 30 prill të këtij viti. Në atë kohë kryebashkiaku qëndroi për 8 orë në Prokurorinë e Posaçme lidhur me hetimet për inceneratorin e Tiranës.
Pak ditë më parë, BKH me urdhër të SPAK i sekuestroi celularin gruas së Erion Veliajt, Ajola Xoxës, pas një kontrolli të zhvilluar në banesën e tyre, teksa kryebashkiaku nuk ishte në Shqipëri.
Dy ditë më parë, Gjykata e Posaçme e Apelit refuzoi ankimin e bërë nga Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kundër vendimit që lejoi SPAK-un ta kontrollojë dhe sekuestrojë aparatin telefonik celular.
Në të njëjtin vendim Apeli rrëzoi të njëjtat pretendime të ngritura kundër kontrolleve nga vëllai i kryebashkiakut, Arbër Veliaj dhe dy kompani, ambientet e të cilave kaluan në filtrën e agjentëve të BKH.
Në komunikimet e tij publike pas kontrolleve të BKH-së, kryebashkiaku tha se është i hapur dhe bashkëpunues me hetimet, edhe pse u ankua që agjentët nuk kishim një vendim gjykate për kontrollet në banesën e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.