Drejtësia

Kryebashkiaku i Rrogozhinës në SPAK, merret në pyetje për emërimet në bashki

Gazet Si – Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla është praqitur këtë të enjte në SPAK, ku është marrë në pyetje për disa punësime fiktive të dyshuara në bashkinë që drejton.

Paraprakisht mësohet se Memolla ka bërë punësime fiktive të personave që në fakt ishin jashtë vendit, ndërkohë që paguheshin si punonjës të Bashkisë së Rrogozhinës.

Edison Memolla u zgjodh në krye të Bashkisë së Rrogozhinës nga zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit të vitit të kaluar, teksa më 14 maj garon sërish për një mandat të plotë në krye të kësaj bashkie.

Memolla mori 5438 vota, duke lënë pas dy rivalët, Ferdinand Saraçi nga PD, me 1966 vota dhe Hekuran Xhani, nga koalicioni “Shtëpia e Lirisë”, me 1550 vota.

Ndërkohë, më 7 mars 2022, një ditë pas zgjedhjeve të pjesshme, Partia Demokratike e kallëzoi në Prokurorinë e Posaçme kreun e sapozgjedhur të Bashkisë Rrogozhinë me akuzën e shit-blerjes së votave. Sipas akuzave nga PD-ja, Memolla ka qenë direkt i përfshirë në blerje votash.

Konkretisht, ai u akuzua se ka kërkuar nga punonjësit e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike të japin votat për të në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit 2022.

Memolla është kryebashkiaku socialist i radhës që paraqitet në SPAK pët t’u marrë në pyetje për akuza apo si person në dijeni.

Më herët, kanë qenë disa kryebashkiakë të tjerë, si Artur Bushi i Krujës, Armando Subashi i Bashkisë së Fierit, Qerim Ismailaj i Mallakastrës, Dritan Leli i Vlorës, por edhe ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë