Gazeta Si – Për rreth 2 orë, kryebashkiaku i Krujës Artur Bushi ka dhënë sqarime në SPAK pas kallëzimit të një qytetari që e akuzon për shpërdorim detyre.
Sipas pretendimit të qytetarit me iniciale M.H., Bushi i ka vënë përmes organeve që ka në juridiksion institucioni që drejton, 3 gjoba për shkelje.
Pasi u pyet për rreth dy orë, kryebashkiaku nuk pranoi pranoi të flasë për mediat. “U thirra për një gjë pa rëndësi”, tha ai, pa pranuar të zbulojë arsyen.
Bëhet fjalë për një hetim të nisur nga Prokurorja e Posaçme, Manjola Kajana pas kallëzimit të M.H., dhe inspektoriati i Bashkisë Ndërtimore të Krujës për vendosjen e 3 gjobave me shumë totale 35 milionë lekë për ndërtim pa leje.
Këtë veprim, qytetari e ka kallëzuar në SPAK, me pretendimin se Bushi ka shpërdoruar detyrën. Bushi është paraqitur si person që ka dijeni, për të dhënë sqarime rreth kësaj padie.
Avokati i Bushit nga ana tjetër, në prononcimin për mediat tha se Inspektoriati Ndërtimor që është në varësi të Bashkisë së Krujës, ka vendosur disa gjoba për disa instituicione që lidhen me çështje të ndryshme.
Sipas tij, këto institucione kanë ngritur padi ndaj Inspektoriatit Ndërtimor dhe për këtë arsye, Bushi si titullar i institucionit që ka në varësi këtë strukturë është thirrur për t’u marrë në pyetje.
Bushi, rezulton një nga zyrtarët lokalë më të denoncuar në Prokurorinë e Posaçme.
Ndaj tij, janë bërë 7 kallëzime penale, ku 2 prej tyre ka nisur hetimi e ndërsa SPAK ose ka vendosur shpalljen e moskompetencës ose pushimin e hetimeve.
Ai u përfshi në politikën lokale pas kthimit në Shqipëri nga Italia, duke u zgjedhur kryetar i Komunës Thumanë, në vitin 2011.
Dy vjet më pas, ai u bë pjesë e listës së kandidatëve të Partisë Socialiste, për deputet në qarkun e Durrësit dhe fitoi mandatin.
Në gusht 2015, Bushi u bë kryetar bashkie në Krujë. Artur Bushi shënoi në formularin e dekriminalizimit edhe një ndalim të vitit 1996 në Caserta të Italisë, ku ishte liruar menjëherë pas një verifikimi.
Ndërsa një ditë më parë, pak orë pas arrestimit të kreut të Bashkisë së Bulqizës Lefter Alla (i akuzuar për korrupsion), dëshmoi në Prokurorinë e Posaçme për rreth 3 orë, ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



