Nga Gazeta Si- Për kryetarin e Bashkisë Gramsh, Besion Ajazi, 14 fëmijë të infektuar me salmonelë në kopshtin e qytetit, nuk tregon një rast masiv.
Ajazi u prononcua në një deklaratë për mediat lidhur me rastin e helmimit të fëmijëve në një kopsht të qytetit, ku tha se nuk kemi të bëjmë me një rast masiv.
“Ka vetëm 6 fëmijë që janë shtruar për disa orë. Besoj se nuk do kemi raste të tjera. Fatmirësisht kemi vetëm atë numër të të prekurve, s’kemi përhapje”, tha kryebashkiaku.

Ai thotë se ka vetëm alert për gjendjen shëndetësore të fëmijëve ndërkohë që shton se ende nuk dihet se nga ka ardhur infektimi i fëmijëve dhe se për momentin, nuk kemi të bëjmë me një helmim për shkak të ushqimit, “sepse nuk kemi ende analizat”.
Duke ftuar prindërit dhe mediat që të presin për rezultatet e analizave dhe përgjigjet e institucioneve, Ajazi gjithsesi thotë se sipas tij nuk kemi të bëjmë me një abuzim nga një institucion apo individ.
“Kompania që ka fituar tenderin për furnizimin me ushqime ka kryer të gjitha analizat e nevojshme dhe ushqimet janë në kushte të mira higjieno-sanitare”, thotë Ajazi.
Gjithashtu, ai heq përgjegjësinë edhe nga kopshti, duke thënë se kuzhinierët janë të certifikuar dhe prej vitesh gatuajnë për fëmijët.

Ajazi foli edhe për reagimin e prindërve(ku disa prej tyre në protestën e sotme thanë se u është bërë presion që të mos dalin) duke thënë se i intereson gjendja shëndetësore e vogëlushëve dhe asgjë tjetër veç kësaj që nuk lidhet me këtë rast, por, sipas tij, me protagonizmin lokal provincial të ndonjë palaçoje politik.
“Të dalë një që të thotë se kush ka bërë presion. Është vetëm një që po shfrytëzon rastin e fëmijës së vet për të bërë politikë. Askush nuk ka bërë presion, asnjë lloj intimidimi”, tha kryebashkiaku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.