Ngjarje

Kryebashkiaku i Gramshit duhet të shkarkohet- Jeta e fëmijëve nuk llogaritet me numra

Nga Gazeta ‘Si’- Deklarata e kryebashkiakut të Gramshit, Besion Ajazi se 14 (tani janë konfirmuar 17) femijë të infektuar me salmonelë nuk mund të konsiderohet rast masiv, është alarmuese.

Jo vetëm prej faktit se salmonela është ngjitëse dhe kurrë nuk dihet nëse janë infektuar të tjerë, por edhe pse duket si një përpjekje nën rogoz për t’u distancuar nga pesha e fajit dhe tenativë alogjike për të justifikuar të pajustifikueshmen.

Deklarata e tij nuk është hiç më shumë se përpjekje për t’u fshehur pas gishtit ndërkohë që “gishti tregon hënën”.

Ajazi duhet të kuptojë se nuk ka rëndësi nëse ështe një apo janë 17, ata janë raste që në spital janë paraqitur me temperaturë të lartë dhe diarre me gjak, dhe situata do ishte ravijëzuar njësoj alarmante edhe nëse shifrat do ishin më të pakta. 

Rasti është shqetësues në të gjitha skajet e këtyre shifrave dhe retorika e tij vetëm sa e thellon më tej skandalin.

Edhe po të ishte vetëm një rast i vetëm që rrezikon shëndetin e konsumatorit, aq më pak të një fëmije, përgjegjësia duhej mbajtur në nivele maksimale dhe ai duhet shkarkuar. Sepse edhe vetëm një jetë ka rëndësi dhe edhe për një rast të izoluar duhet të ketë llogaridhënie.

Si një, si katërmbëdhjetë, predispozitat për t’u helmuar në një ambient ku nuk ka siguri ushqimore, kanë qenë të njëjta. Problemi nuk është numri, por tek ajo që e shkaktoi numrin.

“Lojrat” me numrat e fëmijëvë të prekur, në një kohë kur ai duhet të ishte i pari që duhet të mbante përgjegjësi përsa kohë kopshti është institucion nën kompetencat e tij, tregojnë vetëm artificie për të zhvlerësuar rëndesën e situatës.

Kjo vazhdon edhe kur ai bën avokatin mbrojtës të kompanisë që ka fituar tenderin për furnizimin e kopshtit dhe të kuzhinierit, duke i cilësuar si të pafajshëm, kur në të njëjtën kohë, u bën thirrje prindërve të irrituar (me të drejtë) që të ruajnë qetësinë dhe të mos dalin në përfundime pa folur institucionet.

Ajazi madje edhe nuk nguroi të lërë mënjanë gjithë ngjarjen dhe të kthehet në politikë, duke akuzuar prindërit se po e përdorin situatën politikisht.

Asgjë nuk i përligj deklaratat e tij, ndaj ai duhet të shkarkohet menjëherë, për t’u treguar prindërve se fëmijët e tyre vlejnë, sikur dhe mos të kenë asnjë simptomë, e akoma më shumë kur infektohen nga ushqimi që bashkia ua ka servirur fëmijëve si të kontrolluar.

Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për helmimin dhe nëse ecim me fjalën e kryebashkiakut që i heq përgjegjësinë kompanisë dhe kopshtit, kush është fajtori?

A mund të qetësohen prindërit në ankth me fjalinë ‘në kopsht ka frigorifer ‘Beko’, me ajër’?

Salmonela është më e përhapur gjatë muajve të ngrohtë

Infeksionet apo helmimi nga Salmonela është më i përhapur gjatë muajve të ngrohtë.

Produktet e kontaminuara me salmonelë mund të shkaktojnë infeksione të rënda gastrointestinale, me simptoma si të vjella diarre e fortë (dhe me gjak) , temperaturë dhe dhimbje barku.

Dehidrimi për shkak të diarresë dhe të vjellave e çon trupin në kolaps, duke mos e lejuar të kryejë asnjë funksion dhe  në këtë mënyrë është më i predispozuar të preket edhe nga viruse të tjera në qarkullim.

Bakteret e Salmonelës zakonisht përhapen tek njerëzit nga produktet shtazore si shpendët, mishi, peshku, vezët dhe produktet e qumështit.

Ndërsa numri dërrmues i njerëzve me infeksion me Salmonelë kanë gastroenterit, bakteret gjithashtu mund të shkaktojnë një sërë çrregullimesh të tjera, duke përfshirë:

Baktere në gjak (bakteremi)

Inflamacion i membranave të trurit ose palcës kurrizore (meningjit)

Inflamacion i kockave (osteomielit)


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë