Politike

Kryebashkiakët në burg, kush do drejtojë Himarën? Skema për të çuar Tavon dhe kërkesa e Omonia-s për të caktuar një nga këshilltarët e Belerit

Nga Gazeta Si - Arrestimi nga SPAK i kryetarit në detyrë të Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, ka nxjerrë në pah një ngërç jo të vogël, se kush do të drejtojë nga sot bashkinë e Himarës.

Në burg është edhe kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës, (por i pabetuar për këtë detyrë), Fredi Beleri. Ky i fundit është dënuar nga GJKKO  me 2 vjet burg.

Edhe pse në arrest me burg Jorgo Goro vijon të jetë në detyrë, deri në një vendim të mundshëm për shkarkim nga Këshilli i Ministrave, apo Prefekti i Vlorës, Vangjel Tavo, nëse i referohemi ligjit të fundit të ndryshuar për Prefektin.

Një nga mënyrat ligjore për të zgjidhur ngërçin është që këshilli bashkiak të mblidhet për të mandatuar një nga dy nënkryetarët për të drejtuar bashkinë.

Deri tani, asnjë prej dy nënkryetarëve nuk ka pranuar që të marrë drejtimin e përkohshëm.

Mazhoranca (Partia Socialiste) ka 13 vota, ndërsa koalicioni (Bashkë Fitojmë) ka 8 vota.

Paralelisht është edhe debati për rolin e prefektit dhe fuqinë e tij mbi kryebashkiakët mbi ligjin e ndryshuar me vendim qeverie

Me firmën e kryeministrit, Edi Rama, Vangjel Tavo, është emëruar prefekti i qarkut të Vlorës.

Me ligjin e ndryshuar, Prefekti propozon pranë ministrit përgjegjës për çështjet vendore shkarkimin e kryetarit të bashkisë pjesë e qarkut përkatës në rast të kryerjes së shkeljeve të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve.

Organizata e Omonia-s në Himarë e ka vënë gishtin tek varianti i fundit ai i emërimit të Vangjel Tavos siç kanë bërë së fundmi edhe mediat greke.

5 Mars 2024: Kryetari i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, u dënua në shkallë të parë në një proces gjyqësor pa prova.

14 Mars 2024: Prefekti i Vlorës u zëvendësua papritur nga Vangjel Tavo.

21 mars 2024: Gjykata Kushtetuese legalizoi paraburgimin e Belerit.

23 Mars 2024: Arrestohet i përzgjedhuri i Ramës dhe humbësi i zgjedhjeve vendore, Gjergji Goro, i cili vazhdoi të drejtojë Himarën për 10 muaj pas humbjes së tij.

Shtrohen pyetjet:

- Përse Rama e emëroi Tavon Prefekt nëntë ditë para se Goro të arrestohej? A ishte për t'ia kaluar atij administratën e bashkisë së Himarës pas paraburgimit të Goros? Mos ndoshta për ta caktuar si kandidat për zgjedhjet e pritshme vendore pas dënimit përfundimtar të kryebashkiakut Beleri?

- Përse prokuroria e SPAK priti kaq muaj për të arrestuar Goron? Mos ndoshta priti të përfundonte gjyqi në Gjykatën Kushtetuese?

...Nga momenti që z. Rama e ka vendosur përfundimisht të shkelë ligjet dhe Kushtetutën e vendit duke mos lejuar kryetarin e zgjedhur të betohet, dëshirojmë t’i kujtojmë se më 22 dhjetor 2023, deklaroi se do të ndiqte ‘praktikat më të mira europiane’ për bashkinë e Himarës”, thuhet në deklararën e Omonia-s.

Sipas Omonia-s, kushdo që merr drejtimin e përkohshëm të bashkisë Himarë, duhet të jetë një nga këshilltarët bashkiakë të koalicionit fitues të zgjedhjeve vendore të majit 2023.

“Nuk mund të jetë dikush pa lidhje me votën e popullit të Himarës dhe aq më tepër nuk mund të jetë nga një zonë tjetër jashtë bashkisë së Himarës. Ne Himariotët duam si kryetar bashkie njeriun që ne votuam dhe jo atë që i pëlqen Ramës”, thuhet në njoftim duke iu referuar emrit të Vangjel Tavos të emëruar nga Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë