Politike

Kryebashkiakët e opozitës pas takimit me Ramën: Shpresojmë të bashkëpunojmë, por historiku është zhgënjyes

Nga Gazeta Si - Një nga ngjarjet kryesore të ditëve të fundit ishte pjesëmarrja e të gjithë të zgjedhurve lokalë të Partisë Demokratike në takimin e organizuar prej kryeministrit Rama me të gjithë kryebashkiakët për çështje të bashkëpunimit qeveri-pushtet lokal.

Takimi tregoi sesa larg sulmeve elektorale qendrojnë palët, pasi zgjidhen, duke dhënë mesazhe të qarta dhe të dyanshme bashkëpunimi. Kryebashkiaku i Mirditës, Albert Mëlyshi, i zgjedhur nga Partia Demokratike e Sali Berishës tregon për Gazeta Si komunikimin normal me kryeministrin Rama në takim dhe pritshmëritë nga qeveria socialiste. “historia qeverisëse shpesh ka treguar që qeveria qendrore,  qëllimisht, ka lënë pas dore pushtetin lokal, kur ky i fundit, politikisht, i përket forcës opozitare. Kjo në fakt e zbeh shpresën për investime. Gjithsesi, ne na takon të punojmë dhe të paraqesim projekte serioze pranë qeverisë.”- tha zoti Mëlyshi për Gazeta Si, ku i ka dhënë përgjigje dhe çështjes shumë të debatuar të ndërtimit në zonat e mbrojtura, nën administrimin e bashkive. 

Gazeta Si: A ndihej gjatë takimit ndryshimi i qendrimit të kryeministrit ndaj kryebashkiakëve të opozitës, për të cilët bëri fushatë me motivin se ju nuk do t’i shërbeni qytetarëve, por partisë? 

Kryetari i Bashkisë Mirditë: Gjatë takimit nuk kishte një diferencim mes kryetarëve në të majtë apo të djathtë. Ne mbajtëm qendrimet tona, sipas njësive vendore që përfaqësonim duke ngritur problematikat dhe shqetësimet e qytetarëve. Ishte një mbledhje pune, ku dhamë mendimet dhe sugjerimet tona për zgjidhje.

Gazeta Si: Prania në takimin me kryeministrin Rama do t’ju vijë më ndihmë për të siguruar më shumë mbështetje nga qeveria? 

Kryetari i Bashkisë Mirditë: Prania në takim është diçka tjetër dhe pritshmëria është tjetër. Prania aty s’ka të bëjë me asgjë tjetër veç detyrës që qytetarët na kanë ngarkuar. Rrjedhimisht, duhet të paraqesim tek qeveria qendrore problematika thelbësore që kërkojnë ndërhyrjen e Këshillit të Ministrave. Nuk është vetëm çështja e investimeve ngërçi apo suksesi i pushtetit vendor. Ka shumë probleme të tjera që qytetarët sorollaten dyerve të pushtetit qendror dhe lokal. Shpesh, njerëzit përcillen pa zgjidhje mes një pasimi mes qeverisë dhe bashkive, pa gjetur zgjidhje. Këto janë burokracira dhe shpesh neglizhenca apo mungesë bashkepunimi mes qeverisë dhe bashkive për të ngritur mekanizma të përbashkët, që qytetarët të marrin zgjidhje në problemet e tyre. Sa për pritshmërinë, kuptohet që historia qeverisëse shpesh ka treguar që qeveria qendrore,  qëllimisht, ka lënë pas dore pushtetin lokal, kur ky i fundit, politikisht, i përket forcës opozitare. Kjo në fakt e zbeh shpresën për investime. Gjithsesi, ne na takon të punojmë dhe të paraqesim projekte serioze pranë qeverisë. Pas kësaj do të shikohet qasja që qeveria do të ketë. Paralelisht, ne do të bëjmë publik çdo projekt dhe kërkesë të drejtë që do të bëjmë pranë qeverisë. Unë po punoj për këtë, në mënyrë që të jem sa më transparent me mirditorët, të cilët duan dhe meritojnë të njihen me çdo projekt dhe kërkesë legjitime që unë ngre pranë qeverisë në emër të tyre.

Gazeta Si: Në buxhetin e këtij viti, a ka më shumë para dhe a i ka pranuar qeveria projekte tuaja për zhvillimin e bashkive të opozitës? Ju pyes për të gjitha, duke qenë se ju jeni organizuar në një shoqatë të përbashkët. 

Kryetari i Bashkisë Mirditë: Buxheti njeh rritje progresive vit pas viti. Kështu ka ndodhur edhe këtë vit për secilën bashki, një rritje e lehtë, pa ndonjë impakt të madh. Projektet janë diskutim tjetër dhe mbetet për t’u parë gjatë vitit sesa seriozisht do ta marrë qeveria miratimin dhe investimin e tyre. Ne kemi dorëzuar projekte për çdo fushë dhe presim gradualisht përgjigje, nëse do t’i shpallin apo jo fituese. Në lidhje me shoqatën, më vjen keq të pohoj që akoma nuk ka një dakortësim për një shoqatë të vetme, prandaj dhe ne, kryebashkiakët e opozitës, jemi organizuar në shoqatën tonë. Kështu që, vazhdojmë të jemi me dy shoqata, pavarësisht se ka inisiativa edhe të faktorit ndërkombëtar per unifikimin e shoqatave në një të vetme. 

Gazeta Si: Kryeministri ka lajmëruar të paktën një ndihmë konkrete për bashkitë e vogla, rritjen e pagave për administratat tuaja. Është e mjaftueshme kjo masë që ju të ofroni shërbime më të mira?

Kryetari i Bashkisë Mirditë: Ndër problemet që sot ka pushteti vendor janë edhe pagat e ulëta për punonjësit, sidomos për disa kategori punonjësish që tregu i lirë i punës ka shumë vështirësi për t’i gjetur dhe për t’i mbajtur. Disa pozicione punësh në bashki mbesin bosh për mungesë burimesh njerëzore dhe, për pasojë, ka vonesa të stërzgjatura për t’u shërbyer qytetarëve. Ky problem është shumë i thellë dhe krijon shumë pasoja me efektin zinxhir, si: cilësia e ulët apo mungesa e shërbimeve, mungesa e projekt-ideve apo projekteve, për mungesë të burimeve njerëzore efikase, shpesh, shtohet korrupsioni apo veprime të tjera joligjore, që vijnë nga paaftësia e nëpunëse që kanë pranuar një punë me pagë shumë të ulët. Kjo e çon në kolaps pushtetin vendor apo çdo institucion, ku njerëzit e aftë mungojnë ose nuk paguhen sa duhet.

Gazeta Si: Çfarë i keni kërkuar konkretisht kryeministrit për të përmirësuar shërbimet tuaja?

Kryetari i Bashkisë Mirditë: Perveç projekteve për të cilat kemi aplikuar si në infrastrukturë rrugore, linja vaditëse, ujësjellësa për disa zona, kemi aplikuar edhe me projekte për mbrojtje lumore, për emergjencat apo restaurime të digave të rezervuarëve, që janë shumë problem. Kemi diskutuar për decentralizim më të madh të pushtetit vendor, përfshirje më të madhe të bashkisë në disa fusha që janë jetike. Ka një stërmundim dhe stërzgjatje në kohë për zgjidhje për qytetarët përsa i përket problemit të pronave apo legalizimeve. 

Gazeta Si: Ju jeni një bashki që adminstroni një zonë të mbrojtur. Jeni dakord me ligjin që sapo kaloi qeveria, ku i hapet rrugë investimeve brenda zonave të mbrojtura?

Kryetari i Bashkisë Mirditë: Kjo eshte temë delikate. Nëse do të ndiqeshin rregulla strikte dhe do të respektohej rigorozisht ligji, duke mos favorizuar apo lejuar përtej asaj çfarë ligji thotë, do të krijonte hapësira pozitive zhvillimi. Fatkeqësisht, kjo nuk ka ndodhur në Shqipëri e, për rrjedhojë, druaj që do të ketë efekte negative, qe edhe ato pak zona të mbrojtura do të rrezikohen të zhduken duke ndërtuar pa kriter dhe duke favorizuar dhe duke lejuar klientelizma. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë