Politike

Kryebashkiakë të përjetshëm! KQZ nuk bllokon rikandidimin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tentoi sot të miratonte një udhëzim të posaçëm për të mos lejuar kandidimin e kryebashkiakëve që janë zgjedhur 3 apo më shumë herë në krye të qyteteve të tyre.
Udhëzimi “Për caktimin e rregullave për depozitimin dhe verifikimin e dokumentacionit të kandidimit dhe afatet për publikimin e listave të kandidatëve” parashikonte si një dispozitë tranzitore që të ndaloheshin kandidatët që janë me tre mandate. Ky sanksionim vinte si rrjedhojë e zbatimit të ligjit “Për organet e qeverisjes vendore” ku në nenin 59 të saj parashikohej pikërisht ky ndalim.

Udhëzimi u paraqit nga sekretari i Përgjithshëm i KQZ-së, Ylli Merkaj, por në media qarkulloi lajmi se kërkesa për sanksionuar është bërë me kërkesë të Partisë Socialiste. Përfaqësuesi i PS-së, Eridian Salianji e mohoi që të ketë një kërkesë zyrtare, por formulimi i një udhëzimi të tillë mund të jetë ndikuar nga anëtarët e KQZ-së, të cilët janë propozuar nga ana e Partisë Socialiste.
Udhëzimi në fjalë nuk mori votat e kërkuara, pasi për t’u kaluar, nevojiten 5 vota të anëtarëve të KQZ-së. Kryekomisioneri Klement Zguri votoi kundër këtij propozimi, ndërsa katër anëtarët e tjetë Denar Biba, Bledar Skënderaj, Edlira Jorgaqi dhe Rezarta Biti, që të gjithë anëtarë të propozuar nga PS-ja në këtë institucion.

Debatet
Sekretari i Përgjithshëm i KQZ-së, Merkaj tha se ky sanksionim duhet të përcaktohet që tani, duke mos lejuar kryetarët e bashkisë që kanë nga tre mandate të kandidojnë në zgjedhjet e 30 qershorit. Ai theksoi se zbatimi duhet të fillojë që tani, pasi nëse efektet do të zbatohen pas vitit 2015, kohë që ligji ka hyrë në fuqi, me llogaritje i bie që ai të nisë të zbatohet në vitin 2027, duke i konsumuar 6 mandate. Sipas tij, ligjvënësi nuk është shprehur me dispozitë tranzitore për kohën se kur do të nisë zbatimi i këtij penalizmi, por KQZ-ja nuk ndalohet që të ndërmarrë një akt të tillë, duke u mbështetur edhe në vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Neni 59 i ligjit “Për vetqeverisjen vendore”


Ky qëndrim i zyrtarit të KQZ-së hasi në kundërshtimin e përfaqësuesve të PD-së në KQZ, të Ivi Kasos dhe Njazi Kosovrastit. Sipas ekspertit ligjor Kaso, ligji nuk ka fuqi prapavepruese dhe se nuk mund t’u ndalohej kryebashkiakëve që të rikandidojnë. Ai theksoi se kjo nismë realizohet me pretekstin se PS-ja kërkon që të ndalojë të mos kandidojë dy kryebashkiakët e saj, duke nënkuptuar Vangjush Dakon e Durrësit dhe Qazim Sejdinin e Elbasanit. “Dy të zgjedhurit vendorë që ka kjo forcë politike lidhen me problemet e tjera që janë ato me krimin. Tani vijnë na thonë duke hequr sikletin për vete, “çfarë të bëjmë”, “hajde të heqim edhe sikletin”, duke u nxjerrë pengesa të tjera për të mos kandiduar. Është një akrobaci e çmendur edhe është në kufijtë e qesharakes, në hierarkinë e ligjeve që i përket materies procedurale, një dispozitë ndaluese që ka të bëjë me materien të konsiderohet tërësisht si procedurale”, theksoi Kaso. Më tej ai theksoi se udhëzimi është bazuar vetëm në nenin 59/2 i ligjit, pasi neni 60 parashikon që është Gjykata që bën papajtueshmërinë e mandatit.


Përfaqësuesi i PS-së, Eridian Salianji duke u shprehur “pro” miratimit të një akti të tillë që përcakton kriteret se kush nuk kandidon. “Ka kryetar bashkie që janë bërë agallarë të tillë. Thjesht të përcaktohen rregullat, kriteret, procedurat, që të mos keni kandidatë këtu që vijnë për t’u miratuar dhe që nuk u takon që të kandidojnë. Kushdo kryetar bashkie që ka tre mandate nuk duhet të kandidojë”, tha Salianji.
Nënkryetari i KQZ, Denar Biba duke qenë “pro” një përcaktimi të tillë u shpreh se nuk mund t’ua lemë në dorë të KZAZ këtë çështje dhe që më pas të shpallet një kandidat fitues me tre mandate dhe gjykata të detyrohet t’ia kthejë shpalljen e kryebashkiakut. Por kryekomisioneri Klement Zguri, edhe pse në parim ishte pro përcaktimeve të tilla, votoi kundër këtij udhëzimi.

Për këtë vendim reagoi kryekomisioneri i Ligjeve, deputeti i PS-së, Ulsi Manja, i cili bëri të ditur se vendimin e KQZ-së do ta ankimojë në Kolegjin Zgjedhor. “Qëndrimi ynë është i qartë si PS. Mesa duket në KQZ nuk ka pasur mbështetjen e duhur pasi duhen 5/2 votat. Por ne patjetër që do ta çojmë në Kolegj propozimin tonë. Ne jemi për të zbatuar ligjin për pushtetin vendor dhe është krejt normale, që një kryetar bashkie që ka qeverisur për më shumë se 12 vite të largohet; pse jo, t’i hapet rruga promovimit të figurave të reja”, tha Manja në një intervistë televizive.

Kryebashkiakët që shpëtuan
Në Shqipëri kryebashkiakë të ndryshëm janë kthyer në “agallarë” duke kandiduar për disa mandate rresht. Këta kandidatë duket se janë bërë të paprekshëm edhe nga vetë partitë politike, pasi nuk mund t’i zëvendësojnë aq kollaj.
Vendimi i marrë nga KQZ-ja ka shpëtuar jo vetëm kryebashkiakët socialistë, por edhe ata demokratë. Të parët në listë janë kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, i cili është nën akuzë të fortë nga opozita, si dhe është pjesë e hetimit të dosjes 339, ku emri i tij rezulton të figurojë gjatë përgjimeve të Prokurorisë. Gjithashtu në listë, me tre mandate, është kryebashkiaku i Elbasanit, Qazim Sejdini. Por PS-ja ka bërë të ditur se Sejdini nuk do të kandidojë më.
Ndërsa nga radhët e PD-së janë kryebashkiaku i Vorës, Fiqi Ismaili dhe ai i Kamzës, Xhelal Mziu që kanë më shumë se tre mandate.
Kryebashkiakë të tjerë janë Gëzim Topçiu i Maliqit që ka pesë mandate, i zgjedhur nga PS-ja; Edmond Themelko i Pustecit që ka 4 mandate dhe Shuajip Beqiri i Bashkisë së Konispolit.

Gjithashtu në listë është Adriatik Zotkaj i Poliçanit, që ka në pushtet që nga vitit 2003, në mandatin e parë i zgjedhur nga PBDNJ, dhe më tej nga Partia Socialiste.

Instituti i Studimeve Politike në një analizë të kryer vë në dyshim edhe kandidimin e tre kryebashkiakëve të tjerë si Zef Hila, bashkia Vaui i Dejës (PD); Agron Kapllanaj, Mallakastër (PD) dhe Nesim Spahiu, Çorovodë (LSI), pasi kanë drejtuar njësi të pushtetit vendor para ndarjes së re territoriale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë