Kruja me monumentet e saj të kulturës ngahera ka pasur një turizëm gjithëvjetor. Vlerat që mbartin këto monumente duke filluar me Muzeun Kombëtar Gjergj Kastrioti, Muzeu Etnografik, Kulla e Sahatit në Kalanë e Krujës dhe Teqeja e Dollmës kanë grishur herë pas here jo vetëm vizitorin vendës, por edhe atë të huaj, të cilët kanë shfaqur interes për kulturën dhe historinë e popullit shqiptar. Nuk lihet pas për vlerat historike dhe arkitektonike Muzeu Etnografik i Krujës, i cili ndodhet brenda kalasë së Krujës.
Ky muzeum u ngrit në shtëpinë e familjes së Toptanëve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764 dhe është monument kulture i kategorisë së I. Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë e zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, dhe mënyrën se si ka jetuar populli shqiptar. Në të gjejmë objekte prej qeramike, druri, guri, hekuri, pambuku, mëndafshi, leshi, qëndisma të ndryshme që ekspozohen me finesë në ambientet e tij.
Ndërkohë, formë e ngjyrë qytetit ndër vite i ka dhënë edhe Kulla e Sahatit në Kalanë e Krujës. Kjo kullë është më e hershmja në Shqipëri, e dekadës së dytë të shek. XVII. Fillimisht ishte kullë fortifikuese kalaje, kullë vrojtimi e sinjalizimi dhe pas tërmetit të vitit 1617 u përshtat dhe u kthye në sahat qytetar.
Tërmeti që goditi në nëntor të 2019 Shqipërinë, përveç pasojave që solli në njerëz e banesat e tyre solli dëmtime edhe në këto monumente kulture.
Kulla e Kalasë së Krujës ose siç njihet ndryshe Kulla e Sahatit, struktura e shek. XI pësoi çarje gjatësore serioze, duke e vënë në rrezik shembjeje. Dëmtime pësuan edhe muret e kalasë.
Ndërsa ekspertët e trashëgimisë kulturore dhe turizmit herë pas here kanë dhënë alarmin në mënyrë që të kthehen sytë nga këto monumente, pas gjymtimit nga tërmeti, sot është prezantuar projekti për restaurimin e këtyre siteve të dëmtuara nga tërmeti.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në Krujë, së bashku me Ministren e Kulturës Elva Margariti dhe Ambasadorin i BE në Shqipëri, Luigi Soreca, në kuadër të programit të rijetëzimit të monumenteve kulturore me vlera të veçanta historike, si Kulla e Sahatit në Kalanë e Krujës, Teqeja e Dollmës dhe Muzeu Etnografik.
Punimet për restaurimin e muzeut do të nisin së shpejti dhe do të përfshijnë ndriçimin, survejimin, mbrojtje nga zjarri, etj.
Dyshemeja, çatia, tavani, të gjitha dyert dhe dritaret do të riparohen aty ku është e nevojshme.
Kryeministri Edi Rama foli edhe për Bonusin e Rijetëzimit të shtëpive të vjetra, në funksion të ekonomisë familjare e turizmit.
Në fjalën e tij, kryeministri Rama tha se ky program ka një potencial të jashtëzakonshëm, ndërsa iu bëri thirrje të gjithë banorëve që të përfshihen.
Mes të tjerash, Rama theksoi se do iu ofrojë asistencë të gjithë atyre banorëve që janë të interesuar dhe kanë nevojë të përfshihen në këtë proces.
Ndërkohë, edhe Kulla simbolike e Krujës, monument me vlera të veçanta historike dhe kulturore po rikonstruktohet për t’u rikthyer në identitet, në sajë të projektit të zhvilluar në bashkëpunim me qeverinë suedeze.
“Kulla tashmë ndodhet në situatën e plotë të përforcimit të emergjencës, është e gjitha e stabilizuar. Hapi i parë që ndërmori qeveria shqiptare ishte hartimi i projektit për fazën e emergjencës. Ka qenë një projekt që u krye pa mundur të aksesohej direkt kulla sepse ishte në mënyrë konstante në rrezikshmëri për lëvizjen e gjithë pjesës së gurëve”, shpjegoi ministrja e Kulturës, Elva Margariti, gjatë inspektimit që kryeministri Rama zhvilloi sot në këtë objekt.
Sipas ministres Margariti, qëllimi i projektit është të sigurojë Kullën e Sahatit dhe të parandalojë degradimin e mëtejshëm, si dhe reagimin gjatë aktivitetit sizmik në të ardhmen. Punimet përforcuese do të përmirësojnë kapacitetin e strukturës për një periudhë të konsiderueshme kohe duke krijuar mundësi për dokumentimin e mëtejshëm të kullës, si dhe realizimin e projektit përfundimtar të restaurimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.