Kosova

Kronologjia tragjike e Banjskës që rindezi edhe trazirat politike (foto)

Nga Gazeta ‘Si’- Tre sulmues të vrarë dhe gjashtë persona të arrestuar. 

Ky është bilanci i operacionit të sotëm në Banjskë i cili nisi pas vrasjes së një efektivi në veri të Kosovës, në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele (24 shtator).

Sipas ministrit të brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçlës, dy nga të arrestuarit janë "të plagosur, me uniformë dhe të armatosur", ndërsa katër të tjerë kanë qenë në mbështetje të sulmit me radio-lidhje.

Duke folur për gazetarët nga pjesa veriore e vendit, Sveçla tha se aksioni në kërkim të sulmuesve të Policisë së Kosovës është duke vazhduar.

Policia e Kosovës, tha ai, ka zbuluar edhe një sasi të madhe armatimi, përfshirë eksploziv, uniforma, logjistikë, ushqime e pajisje për barrikada.

"Lirisht mund të themi se ishin pajisje për disa qindra sulmues tjerë. Do të thotë, përgatitjet ishin që një kohë, në mënyrë masive, që të sulmojnë policinë e Kosovës, institucionet e Republikës së Kosovës dhe seriozisht ta cenojnë integritetit teritorial", tha Sveçla.

Ai shtoi se ka informacione se bëhet fjalë për një "grup terroristësh".

"Ne kemi vijë kufitare jashtëzakonisht të gjatë me Serbinë dhe hyrjet e këtyre terroristëve nuk janë të pamundshme, por veprimtaria e tyre tash po bëhet e pamundshme", tha ministri i Brendshëm.

"I gjithë territori i vendit është vendosur nën kontroll", shtoi ai.

Pse nisën trazirat në veri? 

Një efektiv i policisë së Kosovës ka humbur jetën teksa një tjetër mbeti i plagosur si pasojë e një sulmi të armatosur që ka ndodhur në fshatin Banjska të Leposaviçit.

Lajmi është dhënë nga vetë kryeministri Albin Kurti, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale shkroi se ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit, teksa të shtënat me armë vijuan të jenë aktive në zonë përgjatë gjithë ditës. 

Sipas Kurtit, autorët e këtij krimi të urryer e terrorist janë të maskuar dhe të armatosur rëndë, teksa premtoi se Policia e Kosovës do të ruajë qytetarët pa dallim dhe sovranitetin.

Menjëherë pas ngjarjes u mbyllën pikat kufitare në veri. 

Si ndodhi vrasja? 

Policia tha se shkoi menjëherë në vendngjarje pas marrjes së informacionit se në urën e fshatit Bajnskë ishin vendosur dy kamionë pa targa.

Pas mbërritjes, forcat e policisë janë sulmuar me armë zjarri nga pozicione të ndryshme si dhe me granata dore. Njësitet policore në vetëmbrojtje i janë përgjigjur sulmit dhe kanë arritur që ta zmbrapsin sulmin fillestar për të krijuar kushte për dhënien e ndihmës dhe tërheqjen e kolegëve të qëlluar me armë zjarri.

Policët e plagosur u dërguan në spitalin e Mitrovicës, por njëri prej tyre nuk ka mundur të mbijetojë.

Serbët u fshehën në manastirin e fshatit Banjskë

Anëtarët serbë të grupit të armatosur u fshehën me orë të tëra në manastirin e fshatit Banjskë. 

Sipas deklaratës se Kurtit në konferencën që ai dha për media ne mesditë, dyshohet se ishin 30 prej tyre. 

Nga brenda manastirit ata sulmuan me arsenal armësh dhe granata dore policinë e Kosovës. 

Kurti gjatë konferencës shfaqi disa fotografi në ekran ku shtoi se banorët lokalë serbë nuk kanë automjete të tilla dhe asnjë civil tjetër në Republikën e Kosovës ndërsa iu bëri thirrje që të dorëzohen.

Ngjarja u shoqërua me reagime të shumta

E para që reagoi për vrasjen ishte presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila ndërpreu edhe vizitën e saj zyrtare në SHBA dhe u nis drejt Kosovës. Ajo deklaroi se sipas saj, sulmi ishte orkestruar nga banda serbe. 

Në të njëjtën mendje me të ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. 

Presidenti Begaj e konsideroi ngjarjen si cënim të rëndë të rendit dhe sigurisë së Kosovës ndërsa kryeministri Rama tha se Bashkimi Europian duhet të marrë masa për moseskalimin e situatës. 

Në mesditë reagoi edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffry Hovenier i cili deklaroi se shkaktarët e këtyre veprave duhet të përballen me drejtësinë. 

Ndërsa pasdite, pasi situata eskaloi më tej reagoi edhe Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell.

Borrell u shpreh se BE-ja dënon në termat më të ashpër të mundshëm sulmin e tmerrshëm kundër policëve të Kosovës në Banjska, në veri të Kosovës. 

Pas tij reagoi edhe Miroslav Lajçak, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi i cili tha se Serbia dhe Kosova duhet t’i kthehen dialogut menjëherë. 

Ndërsa KFOR, misioni i NATOS në Kosovë tha se Policia e Kosovës e ka përgjegjësinë fillestare për menaxhim të incidentit në veri dhe e dënoi ashpër sulmin ndaj pjesëtarëve të këtij institucioni në mëngjesin e së dielës.

Vuçiç: Tre serbë nga Kosova u vranë. Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se sulmi në Banjskë ndodhi pasi “disa serbë të Kosovës” u rebeluan duke ngritur barrikada dhe duke nxitur më pas reagimin e policisë së Kosovës.

Në një adresim të drejtpërdrejtë televiziv, mbrëmjen e së dielës, ai tha se “tre serbë nga Kosova u vranë - dy nga snajperët - dy u plagosën rëndë dhe ka frikë për vrasjen edhe të personit të katërt”.

“Rreth orës 02:46 të natës së sotme, një grup serbësh nga ‘Kosova dhe Metohia’ vendosi dy kamionë si barrikada në Banjskë - në veri të Kosovës. Më pas shkoi policia e Kosovës dhe tentoi t’i largojë ato barrikada. Kishte një konflikt me serbët që vendosën barrikada dhe në atë konflikt mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe një person tjetër u plagos”, tha Vuçiç.

“Serbët dhe jo njerëzit nga Serbia qendrore - siç gënjyen në mediat e Prishtinës - por nga Kosova u rebeluan, duke mos dashur të vuajnë më terrorin e [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti”.

“Unë, në asnjë mënyrë, nuk dua ta justifikoj vrasjen e një polici shqiptar dhe as nuk mund ta justifikoj. Është një akt i dënueshëm dhe është diçka që nuk i duhej askujt”, tha presidenti serb.

Sipas tij, i vetmi fajtor për atë që po ndodh në veri, “është Albin Kurti”.

“Nuk kemi mundur të flasim më herët, sepse nuk kemi kontroll efektiv në Kosovë që nga viti 1999. Na është dashur shumë kohë që ta hetojmë vetë atë që ka ndodhur”, tha Vuçiç.

Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe tha se në veri të Kosovës, policët duhet të jenë serbë.

Vuçiç tha se në ditët në vazhdim do të marrë vendime, që do t'ua komunikojë “qytetarëve dhe popullit tonë në Kosovë”, por nuk specifikoi se me çfarë kanë të bëjnë ato vendime.

Ai tha se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën “as formalisht, as joformalisht”, por shtoi se është i gatshëm të bisedojë.

Aktualisht situatë e qetë në manastirin e Banjskës

Dioqeza e Rashkës-Prizrenit tha se situata në manastirin e Banjskës aktualisht është e qetë dhe se “personat e armatosur që kanë depërtuar sot portën, janë larguar nga manastiri”.

“Aktualisht, prania e Policisë së Kosovës dhe EULEX-it vërehet para portës hyrëse dhe në oborrin e manastirit”, thuhet në njoftimin e Dioqezës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë