Irena Beqiraj

Kronikë e një falimentimi të paralajmëruar


Falimentimi  i ujësjellësit të Durrësit nuk më çuditi. Madje më surprizon fakti se si po mbijetojnë kompanitë e tjera shtetërore. E them këtë, sepse kompanive tona shtetërore u mungon thuajse tërësish menaxhimi financiar.

Edhe këtu nuk e kam fjalën për sistemet kontabël, por për menaxhimin financiar të mirëfilltë, ku të menaxhohen risqe të ndryshme apo ku bëhen analiza kosto - përfitim për çdo proces/ produkt/ projekt, etj.

Gjithashtu, kompanitë shtetërore kanë borxhe të akumuluara ndër vite dhe ndodhen në pamundësi reale për të absorbuar burime të tjera financimi.

E vetmja mundësi për të siguruar financim, është buxheti i shtetit. Vendim-marrjet  për investimet janë jo të qëndrueshme edhe të influencuara politikisht.

Ato kryhen në mungesë të plotë të studimeve të fizibilitetit, mungesë e cila çon në pamundësi për të tërhequr investitorë potencialë. Keqpërdorimi i burimeve kufizon  mundësinë për tu zhvilluar;

Përformanca e dobët e kompanive shtetërore, të cilat veprojnë edhe në kushtet e monopolit, pra në kushtet e mungesës së konkurrencës, lidhet pazgjidhshmërisht mbi të gjitha me mungesën e kufirit ndarës të kompanive shtetërore nga politika, e clii duhet të ishte qartësisht e përcaktuar në dy drejtime.

Së pari, duhet të ishte i përcaktuar qartësisht kufiri ndarës midis politikave publike  dhe qëllimeve tregtare të një Kompanie Shtetërore.

Përtej qëllimeve tregtare, kompanitë shtetërore detyrohen nga qeveria qendrore apo vendore të përmbushin objektiva politike jo-tregtare, të cilat kërkojnë  kompromise që rëndojnë në kurriz të performancës së tyre financiare afatshkurtër dhe afatgjatë.

Elementi i dytë i rëndësishëm, lidhet me distancimin e politikës nga menaxhimi i këtyre kompanive.

Ciklet politike, mandatet e shkurtra të drejtuesve kryesorë të kompanive shtetërore, edhe brenda një mandati, si dhe dëshira për të realizuar politika publike me anë të tyre, të cilat edhe pse duket që nuk ndikojnë direkt në buxhetin e shtetit, kanë pasur efekte të mëdha tek ky i fundit, kanë kontribuar më keq menaxhimin e kompanive shtetërore.

Përfaqësimi i Aksionerit nga ministrat apo kryetarët e bashkive, është shoqëruar me ndërhyrje partiake-politike, gjë që e ka vendosur integritetin e kompanive shtetërore në rrezik.

Si rezultat, partitë politike në mënyrë indirekte kanë ushtruar ndikim mbi vendimet e rëndësishme brenda një kompanie shtetërore, duke përfshirë: emërimet, rekrutimi i stafit, proceset e tenderimit.

Ministri, apo kryetari i bashkisë, si përfaqësues i aksionerit, emëron, shkarkon në bazë të statusit, pa asnjë procedurë përzgjedhjeje, drejtuesit e lartë të kompanive shtetërore, siç janë antarët e Bordit Drejtues dhe Drejtorët e Ekzektutivë.

E thënë troç, sot kemi  kompani  shtetërore thuajse të dështuara, sepse Bordet Drejtuese, bashkë me drejtorët ekzekutivë, nuk janë gjë tjerër, vetëm “Klubet e fansave të Ministrave”.

Si të tillë, jo vëtëm që nuk sjellin asnjë vlerë të shtuar për kompani, por plotësojnë tekat politike apo edhe personale të atyre, që mund ti vendosin e ti heqin me një të rënë të lapsit.

Thënë këtë, Ujësjellësi i Durrësit, është kronika e falimentimit të paralajmëruar të thuajse të gjithë kompanive shtetërore në këtë vend.

Me kulturën aktuale të qeverisjes së tyre, është e provuar katërcipërisht që, kompanitë shtetërore ekzistuese, por edhe ato të krijuara rishtazi, janë të destinuara të falimentojnë. 

Nuk është e pamundur të ndërtohet një model menaxhimi, i cili e kthen shtetin një një pronar profesionist.

Ky model duhet: të ndajë funksionet e pronësisë së shtetit, si politikbërës nga ai i rregullatorit apo mbikëqyrësit për të minimizuar konfliktet potenciale të interesit;

të minimizojë ndërhyrjen politike të pronarit - shtet duke sjellë më shumë profesionalizëm në menaxhim të tyre;

të promovojë koherencë dhe konsistencë në zbatimin e standardeve të qeverisjes korporative;

të sigurojë transparencë dhe llogaridhënie më të madhe në operacionet e Kompanive përmes mbikëqyrjes më të mirë dhe monitorimit të performancës.

Sot, kompanitë shtetërore sidomos ato në sektorët strategjikë, duhen parë si mjete të rendësishme për zhvillimin ekonomik të vendit, pasi prej tyre mund të reailizohet një rritje nga 1%, deri në 4% të PBB.

E pra, nuk është e vështirë të njohësh të mirën, por është e vështirë ta shndërrosh atë në vepra.


Copyright © Gazeta “Si”