Një kukull me pamjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, u dogj gjatë një karnavali në Kastela, Kroaci. Djegia e kukullës me pamjes e Vuçiç ishte pjesë e traditës së karnavaleve të cilat çdo vit djegin një figurë që simbolizon fajtorin e të gjitha fatkeqësive të vitit të shkuar.
Ky akt ka nxitur reagime nga anëtarët e qeverisë serbe, të cilët kërkuan nga autoritetet kroate të identifikojnë dhe ndëshkojnë përgjegjësit. Ministrija e Drejtësisë, Maja Popoviç, e dënoi ashpër djegien e kukullës me imazhin e Vuçiçit, duke deklaruar se pret që Zagrebi zyrtar ta dënojë këtë akt.

“Pres që autoritetet përkatëse në Kroaci të reagojnë dhe që Zagrebi zyrtar të paktën ta dënojë këtë akt. Ngjarje të tilla nuk mund të kontribuojnë në marrëdhënie të mira fqinjësore, por vetëm mund të ndezin më tej tensionet në rajon,” tha ajo, sipas zyrës së saj, raporton N1.
Ministrja Popoviç theksoi se Serbia është e përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin dhe se si presidenti ashtu edhe e gjithë qeveria gjithmonë e mbështesin këtë qëndrim.
Ministri i Jashtëm, Marko Gjuriç, gjithashtu reagoi duke e “dënuar fuqishëm” djegien e kukullës me pamjen e Vuçiçit. Ai tha se pret që autoritetet kroate ta dënojnë menjëherë dhe pa ekuivoke këtë akt dhe të ndërmarrin hapa konkretë për të siguruar që përgjegjësit të identifikohen dhe të ndëshkohen sipas ligjit.
Ndërkohë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se është krenar që gjatë karnavalit në Kastela, afër Splitit, një kukull me pamjen e tij u dogj përsëri, duke thënë se ky është një tregues se ai ka “bërë shumë gjëra të mira për popullin serb.”

“Nuk ka shenjë më të mirë sesa kur kroatët djegin kukullën tënde çdo vit radhazi. Kjo do të thotë që ke bërë shumë, shumë gjëra të mira për popullin serb. Prandaj, jam krenar për këtë dhe u jam pafundësisht mirënjohës për këtë. Uroj që të arrijnë të njëjtin rezultat edhe vitin tjetër, dhe atë pas tij,” tha Vuçiç për gazetarët gjatë vizitës së tij në Distriktin Bor.
Vitin e kaluar, në ditën e fundit të karnavalit në Kaštel Stari, u dogjën kukulla me pamjet e Vuçiçit dhe presidentit rus, Vladimir Putin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



