Nga Gazeta ‘Si’- Nisma e Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, “është e hapur edhe për aleatë e partnerë të Bashkimit Europian dhe NATO-s”, që “duan të kontribuojnë në ndërtimin e stabilitetit, sigurisë dhe qëndrueshmërisë në rajonin e Europës juglindore”.
Kështu e komenton qeveria e Kroacisë Deklaratën e nënshkruar nga tri vendet, më 18 mars.
Sipas saj, nismës mund t’i bashkohen të gjitha vendet që, po ashtu, duan t’i ofrojnë mbështetje Kosovës dhe Shqipërisë në rrugën e tyre europiane dhe euroatlantike. Qëllim i saj “nuk është krijimi i ndonjë aleance ushtarake”.
“Një aleancë e tillë – përveç anëtarësimit në NATO – as që është e nevojshme”, thekson qeveria kroate.
Ndryshe nga Shqipëria dhe Kroacia, Kosova nuk është anëtare e NATO-s. Në reagimet e tij të para ndaj nismës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se me nënshkrimin e dokumentit, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova “kanë hapur një garë armësh në rajon” dhe “kanë shkelur marrëveshjen nënrajonale të vitit 1996”.
Kjo marrëveshje, e cila ka të bëjë me kuotat e lejuara në armatim, u nënshkrua atëkohë nga dy entitetet e Bosnje e Hercegovinës – Federata e Bosnje e Hercegovinës dhe Republika Sërpska, si dhe nga Kroacia dhe nga Republika Federale e Jugosllavisë, e cila përbëhej nga Serbia dhe Mali i Zi.
Qeveria kroate thotë se kjo marrëveshje është zbatuar vazhdimisht për 29 vjet. Ajo, po ashtu, kujton se as Shqipëria dhe as Kosova nuk janë palë në atë marrëveshje.
“Në këtë kontekst, është krejtësisht e kotë të lidhet me Deklaratën e përbashkët, të nënshkruar së voni ndërmjet Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, qëllimi kryesor i së cilës është forcimi i bashkëpunimit ndërmjet ministrive të mbrojtjes të vendeve mike, partnerëve dhe aleatëve”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kroacisë.
Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, thotë se Beogradi zyrtar “e di fare mirë” se aleatët e NATO-s nuk mund të veprojnë në mënyrë të njëanshme kundër Serbisë.
“Për më tepër, tri vendet e përmendura nuk paraqesin asnjë kërcënim për Serbinë”, thotë Serwer.
Deklaratën e tri shteteve ai thotë se e sheh si “një lëvizje që kontribuon në stabilitet, jo në destabilizim”.
Ai vlerëson se Kosova ka vepruar “mençur” që ka lidhur partneritet me Shqipërinë dhe Kroacinë, të cilat janë vende anëtare të NATO-s.
NATO-ja e komentoi gjithashtu Deklaratën, duke e cilësuar si marrëveshje trepalëshe mes tri vendeve.
“NATO-ja, si organizatë, nuk është pjesë e iniciativës dhe, për këtë arsye, nuk ka pasur ndonjë rol në procesin e konsultimit”, thuhet në përgjigjen dhënë Radios Evropa e Lirë./ REL
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.