Kroacia është bërë sot vendi i parë në Europë që ka vendosur të ndihmojë Kosovën me 10 mijë doza vaksina kundër koronavirusit, ndërkohë që vendi ynë këmbëngul se kontrata me kompanitë farmaceutike nuk e lejon dhurimin e tyre.
Marrëveshja është nënshkruar nga ana e ambasadores së Kroacisë në Kosovë, Danijela Barishic dhe zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës. Duke qene se Kroacia është furnizuar vetëm me vaksina perëndimore, Kosova ka të ngjarë të marrë 10 mijë doza të Pfizer, Astrazeneca, ose J&J.
Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk ka lidhur asnjë kontratë të drejtpërdrejtë me kompanitë farmaceutike dhe të gjitha vaksinat që ka siguruar i janë dhuruar nga Bashkimi Europian dhe Izraeli. Ajo ishte e fundit që u furnizua me vaksina, dhe ka refuzuar të marrë vaksina nga Rusia dhe Kina. Ajo e nisi vaksinimin e mjekëve në janar dhe shkurt në Tiranë dhe në qendrën e vaksinimit në Kukës dhe deri më tani në këtë qendër janë vaksinuar 500 mjekë.
Në përgjithësi, procesi i sigurimit të vaksinave për qytetarët e Kosovës ka qënë kompleks dhe i ndikuar nga shumë faktorë. Ndërrimi i qeverive gjatë pandemisë globale por edhe dështimi i dy qeverive për të siguruar vaksinat bënë që shumë qytetarë të nisesh drejt Serbisë duke u vaksinuar. Shqipëria, ndryshe nga Kosova, ka arritur të sigurojë një numër të konsiderueshëm vaksinash dhe ka ndihmuar deri më tani Prishtinën me vaksinimin e mjëkëve dhe infermierëve, të cilët kanë udhëtuar drejt vendit tonë për të marrë dozën e parë. Por përse nuk i ka dhuruar deri më tani Shqipëria vaksina Kosovës, ashtu si Kroacia?
Kur vendi ynë mori dërgesën e para nga Pfizer, kryeministri Edi Rama u detyrua të tërhiqej nga premtimi i tij për t’i dhuruar një pjesë Kosovë, duke thënë se kontrata me Pfizer nuk e lejon dhurimin apo shitjen e dozave.
“Nuk e kam harruar që kemi marrë një zotim për të ndihmuar Kosovën por dua të sqaroj që rregullat tejet strikte dhe kufizimet e forta që kompania Pfizer ka vendosur, siç ka bërë që ne të mbetemi strikt për mbajtjen e origjinës nga erdhën, e bën të pamundur që ne të dhurojmë doza vaksinash. Nuk e bëjnë të pamundur që ne të bëjmë vaksinimin e mjekëve të spitaleve COVID të Prishtinës. I kam kërkuar ministres së shëndetësisë për të komunikuar me homologun”, tha Rama në atë kohë, duke premtuar vaksinimin e 50 mjekëve nga spitali Infektiv i Prishtinës.
Por edhe pse për vendin tonë duket e pamundur, Kroaci duket se ka gjetur një mënyrë për të bindur kompaninë farmaceutike perëndimore për dhurimin e mijërave dozave për Kosovën. Të njëjtën gjë ka bërë këto kohë edhe Serbia, e cila i ka dhuruar mijëra doza të Astrazeneca dhe vaksinës kineze Sinopharm Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.
Kryeministri Rama ka theksuar vazhdimisht se marrëveshja e bën të qartë së një vendi i duhet konfirmimi nga Pfizer për t’i dhuruar, apo shitur vaksina një vendi tjetër. Deri tani Shqipëria ka siguruar mbi 800 mijë vaksina dhe ka mbi 700 mijë të vaksinuar, ndërkohë që Kosova ka siguruar rreth 70 mijë doza dhe ka rreth 55 mijë të vaksinuar.

Megjithatë, nuk është ende e qartë nëse Kroacia ka kërkuar apo jo miratimin e kompanive perëndimore për t’i dhuruar apo jo disa nga dozat e saj Kosovës.
Qindra punonjës të Shërbimeve Shëndetësore nga Kosova udhëtuan në shkurt dhe mars në Shqipëri për të bërë vaksinat për t’u mbrojtur kundër Covid-19 pasi kryeministri Rama ndau një total prej 500 vaksinash COVID-19 në AstraZeneca për punonjësit e shëndetit kosovarë
Kosova ka rreth 11,000 mjekë dhe infermierë. “Është e rëndësishme të fillohet me mjekët (e Kosovës) sepse ata janë më të rrezikuar,” u tha Rama gazetarëve në qytetin verior të Kukësit, ku u administruan vaksinat në atë kohë.
Megjithatë, 500 punëtorë shëndetësorë të cilët morën dozën e parë të vaksinës AstraZeneca në Kukës, do të vaksinohen tani me dozën e dytë në sallën “1 Tetori” në Prishtinë
Sipas koordinatorit të kësaj qendre, Niman Bardhi, vaksinimi i tyre filloi këtë të hënë ndërkohë që mjekët e vaksinuar në Shqipëri kanë falënderuar vendin tonë gjatë një sërë intervistat televizive.
Kryeministri Albin Kurti mësohet i ka kërkuar qeverisë shqiptare ndihmë edhe për vaksinimin e mësuesve, por ka refuzuar më pas që atë të vaksinohen me vaksinën kineze Sinovac duke thënë se Kosova nuk do të pranontr dozat që vijnë nga Lindja. Kjo përplasje mes dy kryeministrave mbi llojin e vaksinave bëri që qeveria shqiptare të mos ofronte vaksinimin e mësuesve, duke e lënë Kosovën shumë prapa fqinjëve të saj ballkanikë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




