Neymar rikthehet në skenë (nëse ka qenë ndonjëherë jashtë saj) … Tani, në fushatë zgjedhore presidenciale të Barcelonës dhe si taksapagues. Disa nga kandidatët potencialë për të pasuar Bartomeun në krye të klubit, shohin te “ylli” brazilian “armën” më të fortë për të fituar zgjedhjet. Barcelona është në fazën e rindërtimit, proces që do të përshpejtohet pasi të krijohet bordi i ri i drejtorëve. Sulmuesi i “Seleçaos”, për shkak të rëndësisë së tij sportive dhe imazhit, është një pasuri e lakmuar. Nuk duhet harruar që, nëse ish-sulmuesi i Santosit është ende në Paris, kjo u faturohet vetëm efekteve shkatërruese të pandemisë në financat e Barçës, të cilat nuk lejuan që braziliani të prishte në mënyrë të njëanshme kontratën bazuar në nenin 17 të Rregullores së Statutit dhe Transferimit të Lojtarëve të FIFA-s
Para COVID-19, Neymar dhe Barcelona morën në konsideratë që organi më i lartë i futbollit të përcaktonte një kompensim ekonomik për prishjen e njëanshme të kontratës nga futbollisti, që do të kishte qenë rreth 180 milionë euro. Po të ishte për Neymarin, këtë sezon ai do të ishte në Barça. Sulmuesi mbeti pa argumentin kryesor negociues (mundësia financiare e Barçës), por verën e ardhshme atij i paraqitet një skenar i ri, që mund të jetë shumë i favorshëm për interesat e tij: rritja e presionit ndaj PSG, që ta shesë një vit para se të skadojë kontrata (më 30 qershor 2022). Dhe babai i Neymarit nuk do ta lejojë t’i ikë kjo mundësi.
Ndërkohë te Barcelona ka një konfrontim të ashpër që vazhdon prej kohësh. Këshilli i administrimit të Barcelonës ka komunikuar se tavolina e negociatave për të stabilizuar mënyrat e reduktimit të pagave të lojtarëve profesionistë e të gjithë punonjësve të klubit, ka përfunduar pa arritur në një akord. Tani nis një periudhë reflektimi që do të zgjasë deri në 23 nëntor. Pas kësaj date, nëse lojtarët nuk do ta pranojnë propozimin, Shoqëria mund të vendosë në mënyrë të njëanshme të ulë pagat. Pas kësaj, lojtarët mund të nisin një çështje ligjore për të zgjidhur kontratat e tyre e të lirohen me parametër zero nga Barça.
“Në këtë situatë i takon Këshillit të administrimit të marrë vendimet për të zgjidhur problemin e rëndë financiar që lidhet me pandeminë e Covid-19, që provokoi një reduktim të hyrjeve me mbi 300 milionë euro për sezonin 2020/21, e që na detyron për një rishikim të shpenzimeve të pagave përreth 191 milionë”, lexohet në një komunikatë të drejtuesve katalanas.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




