Ne rrjet

Krizat e emigrimit / “Ne besonim se do të vdisnim, por do ta provojmë sërish sapo të mundemi”

27 burra, gra dhe fëmijë vdiqën duke u munduar të prekin kufirin anglez nga Franca disa ditë më parë. Një grup të rinjsh nga Afganistani, nisën rrugëtimin me det në mes të natës, me një burrë që sapo e kishin takuar. Pas disa orësh, në mes të kanalit që ndan Francën e Veriut me Anglinë e Jugut, motori i mjetit u prish.

21 personat që po rrinin të shtypur me njëri-tjetrin, nisën të panikoseshin. Pas rreth 4 orëve duke pritur në të ftohtin e ashpër, ndërkohë që po largonin ujin që po i arrinte deri në kyçe, një grua nisi të kishte mungesë frymarrjeje.

“Ne besonim se do të vdisnim aty”,- tha Ahmed Khan, një 24- vjeçar, të cilit iu thye krahu gjatë tentativës për të kaluar kanalin. Ata u gjetën nga një tjetër varkë shpëtimi dhe u rikthyen në tokë, duke iu shtuar numrit prej 7.800 azilkërkuesëve të shpëtuar nga varkat e patrullimit në kanal.

A do të provojnë ata të udhëtojnë sërish? “Ne do të dalim sërish sapo të mundemi”,- tha Khan.

“E çfarë mund të bëj? Nuk kam zgjidhje tjetër”- shton ai, duke iu referuar dhunës dhe persekutimit që ka mbërthyer qytetin e tij të lindjes në Logar të Afganistanin Lindor, që kur talebanët rimorën kontrollin e vendit në muajin gusht.

Meqë tragjedia e fundit i ka turpëruar, por edhe tronditur politikanët në të dy anët e Kanalit, qeveritë  e Francës dhe Britanisë kanë diskutuar se si të hartojnë një përgjigje të përbashkët dhe efektive ndaj kësaj krize. Një takim ndërkombëtar ishte parashikuar të organizohej nga Franca në Kale të dielën, ku do të merrnin pjesë ministrat britanikë dhe europianë përgjegjës për emigracionin dhe ku supozohej të gjendej një rrugëzgjidhje.

Por pazgjidhshmëria e një krize të paktën 25-vjeçare, u nënvizua sërish të premten kur Franca anuloi ftesën për Ministren e Brendshme britanike, Priti Patel. Kjo pasi zyrtarët francezë e cilësuan si të “të papranueshme” një letër të kryeministrit Boris Johnson drejtuar presidentit Emmanuel Macron, në të cilën kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar bënte thirrje për patrullime detare reciproke franceze dhe britanike në ujërat territoriale të njëri-tjetrit, si dhe për kthimin mbrapsht në Francë të mijëra azilkërkuesve që mbërrijnë në brigjet angleze.

Parisi e kundërshtoi përmbajtjen e letrës, pasi sipas tij ajo sfidonte jo vetëm sovranitetin francez, por edhe mënyrën se si ajo u bë publike, përmes asaj që francezët e shohin si një përpjekje të hapur të Johnson për të fituar avantazhe politike brenda vendit.

Marrëdhëniet anglo-franceze,kanë rënë muajt e fundit në pikën e tyre më të ulët ndër disa dekada, kryesisht si pasojë e Brexit, të nxitura nga mosmarrëveshjet e mëdha mbi tregtinë, dërgesat e vaksinave anti-Covid, licencat e peshkimit për anijet franceze, por edhe problemin e emigracionit ilegal.

Sa i përket migracionit, Londra dhe Parisi, bien dakord për një qasje më agresive ndaj këtij problemi. Johnson dhe Macron sulmojnë ashpër trafikantët e emigrantëve, që thuhet se fitojnë miliona euro në vit, duke i marrë azilkërkuesit nga vendet e tyre të origjinës, dhe duke i transportuar ato nëpër Europë në destinacionet e tyre të dëshiruara.

Që të dy liderët janë shumë të vetëdijshëm, mbi kritikat e forta kundër imigracionit në mesin e elektoratin e djathtë të vendeve të tyre. Dhe të dy kanë theksuar nevojën për një goditje më të fortë ndaj këtij fenomeni, dhe jo për reforma në sistemet e azilit. Një masë e  rekomanduar nga grupet e të drejtave të njeriut, është lehtësimi i procedurave të azilit për refugjatët, duke eleminuar kësisoj nevojën për t’iu drejtuar trafikantëve.

Me një sy nga zgjedhjet presidenciale që mbahen pas më pak se 5 muajve, Macron është shumë i interesuar t’u tregojë francezëve të së djathtës, se ai është po aq serioz në lidhje me emigracionin sa edhe disa nga rivalët e tij, përfshirë udhëheqësen e ekstremit të djathtë të Tubimit Kombëtar, Marine Le Pen, apo polemistin popullor kundër emigracionit Eric Zemmour.

Me njërin prej këtyre të dyve, Macron mund të ndeshet në raundin e dytë dhe të fundit të zgjedhjeve në prillin e vitit të ardhshëm, gjithmonë nëse nuk ndryshon renditja aktuale e kandidatëve në sondazhe. Por problemi është se goditja e trafikantëve dhe largimi i kampeve të mbushura me emigrantë nga brigjet franceze, është provuar vazhdimisht dhe nuk ka dhënë asnjë shenjë se funksionon.

Një nga arsyet kryesore për rritjen e ndjeshëm të numrit të kalimeve të rrezikshme në Kanal me varka të vogla gjatë 2 viteve të fundit, është fakti se të dyja qeveritë punuan bashkë për të siguruar portet dhe tunelin që kalon poshtë Kanalit, për të parandaluar hipjen e njerëzve nëpër kamionë dhe tragete.

Por trafikantët dhe ata që synojnë të shkojnë në Britani, u përshtaten me shpejtësi rrethanave të reja.“Politikanët nga të dyja palët, preferojnë qëtë merren me këtë problem duke përdorur policinë, por kjo qasje nuk po funksionon”- thotë Pierre Roques, koordinator i “Auberge des Migrants”, një OJQ që punon me personat e zhvendosur në rajonin e Kale-së.

“Këto politika janë miope, pasi politikanët mendojnë vetëm për mandatin e tyre në qeverisje, ndërsa u mungon një vizion afatgjatë”-thekson ai. Sipas organizatave humanitare britanike, kalimet me varka të vogla në Kanal, u bënë shumë popullore në vitin 2018.

Edhe pse në fillim ato ishin të pakta, numri dhe shkalla e tyre është rritur me shpejtësi gjatë 2 viteve të fundit. Sipas llogaritjeve të disa organizatave, bazuar në të dhënat e Home Office, deri më 25 nëntor, të paktën 26.611 persona kanë kaluar Kanalin që nga fillimi i këtij viti, pra më shumë se 3-fishi i totalit prej 8.461 personash për vitin 2020.

Megjithatë, deri në 30 qershor të këtij viti kërkesat për azil në Britani ishte ende 4% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë, pasi masat më të ashpra të sigurisë në të dyja vendet, e reduktuan numrin e mbërritjeve nëpërmjet pjesës së pasme të kamionëve apo trenave.

Këtu pati një ndikim edhe pandemia e Covid-19. Por vëllimi i madh i emigrimit përmes anijeve të vogla muajt e fundit, ka filluar të rrisë numrin e përgjithshëm të aplikimeve për Azil në Britani, me 15.104 kërkesa vetëm në muajt korrik-shtator, ose 60% më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit 2020

Abdul, 26-vjeç, mbërriti në Kale 6 ditë më parë nga Kurdistani i Irakut nëpërmjet Turqisë dhe Italisë. Ai shton se një kushëri në Kurdistan pagoi 1.000 paund që ai të hipte në një varkë që shkonte në anën tjetër të Kanalit, pasi për të u bë i rrezikshëm qëndrimi në shtëpi.

Ai e ka provuar këtë rrugë 2 herë pa sukses, dhe thotë se do të tentojë sërish udhëtimin në ditët në vijim, nëse përmirësohen kushtet e motit. Marrëveshja që bëjnë shumë njerëz me trafikantët është që nëse nuk ia dalin herën e parë -pasi zakonisht policia i ndalon në plazh – ata mund të provojnë sërish pa ndonjë pagesë shtesë.

Autoritetet britanike, thonë se trafikantët organizojnë një numër të madh nisjesh të njëkohshme drejt Anglisë, me shpresën se do t’i mposhtin autoritetet franceze. Politikanët në të dyja anët e Kanalit, janë bashkuar rreth një armiku të përbashkët: trafikantët.

Por ojq-të lokale thonë se ndjekja agresive e këtyre organizatave kriminale, e largon vëmendjen nga mungesa e rrugëve të sigurta për të aplikuar për azil, dhe nga policia gjithnjë e më e dhunshme e kufirit, të cilat nuk u lënë emigrantëve shumë zgjidhje, përveçse të ndërmarrin rrugë më të rrezikshme për të shkuar në destinacion.

Për më tepër pas Brexit, Britania  është larguar nga Konventa e Dublinit, e cila përcakton se azilkërkuesit duhet të përpunohen në vendin e parë ku shkelin, dhe kjo do të thotë se Londra nuk mund të justifikojë më refuzimin e azilit për emigrantët,me arsyetimin se ata mbërritën fillimisht diku tjetër në Europë.

I strehuar në kampin Grand-Synthe, Ahmed Khan na thotë se jetoi në Londër për 2 vjet, por u rikthye në Afganistan në vitin 2018, pasi u vra një i afërmi tij. Kohët e fundit, jeta i ishte bërë e padurueshme nga talebanët.“Për mua nuk ka asnjë dallim nëse vdes këtu apo në vendin tim. Anglia është shpresa ime e vetme!”- thotë ai.

Burimi: Financial Times/Përshtati: Gazeta “SI”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë