Financa Personale

Kriza zbraz xhepat dhe llogaritë, shqiptarët tërhoqën 23 mld lekë para gjatë majit dhe depozituan 9 herë më pak

Nga Gazeta “SI” – Veprimet e tërheqjes së parave nga terminalet POS dhe ATM kanë rezultuar përsëri me rritje gjatë muaji maji, bashkë edhe me vlerën e tërhequr.

Sipas statistikave të fundit të Bankës së Shqipërisë, nga pikat e ATM, fiksohen në 1.7 mln veprime tërheqjesh dhe 47 mijë veprime depozitimesh. Ndërkohë, në vlerë, shqiptarët kanë tërhequr 23 mld lekë gjatë muajit Maj ose 192 mln euro dhe kanë depozituar 2.5 mld lekë, ose 21 mln euro.

Vlera e tërhequr gjatë muajit maj është më e larta për të gjithë 5 mujorin e parë 2022.

Këta tregues sinjalizojnë se, gjatë majit, përdorimi i parasë është rritur krahasuar me muajt paraardhës.

Për terminalet POS, numri i transaksioneve nëpër to ka arritur në 901 mijë, nga rreth 805 mijë që ishin në Prill, me rritje 1.1%.

Gjatë Majit vlera e transaksioneve në pagesat nëpërmjet terminaleve POS është regjistruar në 3.9 mld lekë gjithashtu në rritje, me 1.05%.

Sipas BSH-së e cila synon sa më shumë digjitalizimin e financave, në të gjithë Shqipërinë ka 822 ATM, 59% i përkasin Tiranës dhe 13.741 POS, 83% e të cilave janë vendosur po në qarkun e Tiranës.

Ndërkohë, sipas shifrave të tjera po nga Banka, maji ishte muaji i parë pas dy muajsh me rënie, që solli një rritje të lehtë të depozitave të shqiptarëve.

Gjatë prillit stoku total i depozitave ishte 1.228,2 trilionë lekë dhe në maj arriti në 1.228,5 trilion lekë, me një rritje vetëm prej 300 mln lekësh, për një muaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë