Futboll

Kriza/ Reduktim drastik i pagave për Barcelonën, Real Madrid kundër rrymës

Situata ekonomike e Barcelonës ka një rënie drastike sa i takon kuotës që shkon për pagat e futbollistëve. Në mars klubi katalanas mund të shpenzonte deri në 347 milionë për pagat, tani kjo shifër është reduktuar në 97 milionë euro. Nëse Mesi do të kishte qëndruar në “Camp Nou”, gjithë këtë shifër do ta “hante” ai, pak a shumë.

Prej vitesh Liga dy herë në vit, pas mbylles së dy sesioneve të merkatos, publikon limitet financiare të skuadrave të Ligës dhe Segundës, ose më saktë shifrat që klubet mund të shpenzojnë për rrogat e skuadrës së parë në raport me të ardhurat e parashikuara. Sipas shifrave të bëra të ditura sot nga Liga, 20 skuadrat e divizionit të parë mund të shpenzojnë në total për pagat 2155 milionë euro, në mars ishin 65 milionë më shumë, 2224. Shifrat janë ulur që në vitin 2020, në krahasim me 2019-ën.

Barcelona feston fitoren ndaj Atletiko Bilbaos sezonin e kaluar. Gazeta Si, 29 shtator 2021

Dy vjet më parë, Barcelona kishte një tavan pagash prej 671.4 milionë eurosh dhe reduktimi është shumë i madh. Katalanasit i lejonin vetes pagat më të larta të Ligës, sepse kishin rreth 1 miliard të ardhura. Klubi ka shpenzuar shumë për blerjet dhe pagat, pastaj ardhja e pandemisë solli edhe rrokullisjen e madhe. Sot Barcelona është e shtata në renditjen e “salary cap”, përpara Espanjolit të Bares, që ka në dispozicion 77 milionë euro, 20 më pak se katalanasit.

Impresionuese është edhe rënia e Valencias, që në 3 sesione merkatoje ka kaluar nga 177 në 30 milionë euro. Klubi i administruar nga Peter Lim është i fundit në klasifikimin e pagave të futbollistëve.

Festa e Realit pas fitores ndaj Barcelones sezonin e fundit. Gazeta Si, 29 shtator 2021

Shifrat e publikuara sot flasin vetëm për një klub kundër rrymës, Real Madrid. Në “Shtëpinë e Bardhë” për dy vjet nuk kanë bërë blerje dhe pagat nuk kanë qenë kurrë “galaktike”. Në mars Reali kishte në dispozicion 437 milionë për pagat, tani ka 739 milionë. Një shifër që lë hapësirë për një ose dy “super-crack”. I pari është Kilian Mbape, që në qershor nuk ka më kontratë me PSG-në dhe i dyti Erling Haland.

Ecuria e limitit të pagave për 4 skuadrat e para spanjolle në 2 vitet e fundit (shifra në miliona euro të publikuara në verën e 2019-ës, dimrin e 2020-ës, verën e 2020-ës, dimrin e 2021-shit dhe verën e 2021-shit)”
Barcelona 671,4; 656,4; 382,7; 347; 97
Real Madrid 641; 641; 468,5; 473,3, 739
Atletiko Madrid 348,5; 348,5; 252,7; 217,3, 171
Sevilja 185,1; 185,1; 185,8; 183,3, 200


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë