Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca duke prezantuar programin “Java Europiane” hodhi poshtë mundësinë e ndërmjetësimit për zgjidhen e krizës politikë nga ana e zyrtares së lartë të KE-së, Federica Mogherini gjatë vizitës së saj zyrtare në Shqipëri më 8 dhe 9 maj.
“Misioni ka qenë i parashikuar dhe ne i përmbahemi asaj. Ndërmjetësimi nuk është në axhendë për momentin. Pra janë partitë politike, qeveria, opozita që duhet të gjejnë atë urë që ekziston në mënyrë që të tejkalojnë këtë ngërç në të cilën gjendemi dhe nga kjo të përfitojnë qytetarët e Shqipërisë, pra përfaqësimi i plotë në zgjedhje”, deklaroi Soreca pas interesimit të gazetarëve.
Mogherini do të jetë e pranishme si e ftuar nderi në samitin e presidentëve të rajonit të Ballkanit në Tiranë, ku pritet të ketë takime dypalëshe për autoritetet me të larta të Shqipërisë. Ambasadori i BE-së gjithashtu theksoi se dëshiron që të gjitha partitë të marrin pjesë në zgjedhjet lokale.
Në fjalën e tij, Soreca deklaroi se duhet të punohet më shumë për rininë shqiptare me qëllim që të zgjidhen problemet e emigrimit”, ku mes të tjerash nënvizoi faktin se të rinjtë duhet të flasin për shqetësimet e tyre dhe për aspiratat, ku aderojnë të shkojnë.
“I kemi dhënë një fokus të rëndësishëm diversitetit të kulturave. Java e Europës është për të na lejuar, që të zgjidhim disa nga çështjet më të rëndësishme siç është emigrimi, të bëjmë më shumë punë për problemet e rinisë. Të rinjtë duhet të flasin për shqetësimit dhe aspiratat e tyre’”-tha ai.
Cakaj: Presim hapjen e negociatave në Qershor
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj. Ministri në detyrë shtoi se popullsia shqiptare në shumicën dërrmuese synon dhe dëshironi të jetë pjesë e familjes së madhe të Bashkimit Europian.
“Java e Europës është më pak festë se sa obligime dhe angazhime institucionale. Kjo javë është vetëdijesim. Kjo javë do të përfshijë një gamë të gjerë aktivitetesh. Hapja e negociatave për anëtarësim do të jetë një mundësi shtesë për aspiratat që kemi. Shqipëria është prej vendeve më të reja sa i takon moshës. Vitaliteti i shoqërisë nuk qëndron thjesht nga mosha e saj, por jemi në një masë mbi 90 % që mbështesim integrimin në BE”-shtoi Cakaj.
Ministri në detyrë, e cilësoi si tejet vendimtare këtë muaj, pasi Shqipëria pret raportin vjetor të Komisionit Europian.

“Këtë muaj presim marrjen e rekomandimit për hapjen e negociatave për anëtarimin në BE. Në presim që raporti i komisionit, i cili do të publikohet në fund të këtij muaj, do të jetë dëshmi e patjetërsueshme e shndërrimit pozitiv, të përparimit përmbajtësor që vendi ka bërë në rrugën e pakthyeshme të integrimit evropian. Procesi i negocimit për anëtarësimin në BE, për Shqipërinë ndoshta është më i rëndësishëm sesa vetë akti i anëtarësimit. Ngaqë ky proces ofron një shtysë për ndryshime strukturore dhe mundëson një reformë gjithëpërfshirëse. Hapja e negociatave për anëtarësim nëse do të behet realitet në Qershor nuk do të jetë assesi kurorëzim i ndryshimeve që duam. Por do të jetë mundësi shtesë për të realizuar ndryshimet radikale që ne aspirojmë, për ta bërë Shqipërinë shoqërisht më të drejtë, demokratikisht më të fuqishme dhe institucionalisht më funksionale. Procesi i negocimit mundëson edhe realizimin e plotë institucional të Shqipërisë”, deklaroi Cakaj.
Sipas tij të gjitha detyrimet dhe pjesa e performancës plotësimi i kushteve të kërkuara nga Komisioni Europian është përmbyllur me sukses, por shtoi se vendimi është edhe çështje e vullnetit politik të vendeve anëtarëve të BE-së. “Kryeministrit Rama nuk i ka kërkuar askush shtyrjen e vendimit, për shkak se ai nuk e përcakton dot agjendën e Këshillit, por për shkak të kufizimeve kohore që është e shkurtër nga momenti i paraqitjes së raportit të KE vendimi mund të merret në vjeshtë. Unë e përmenda qershorin duke iu referuar vendimeve të Këshillit”, theksoi Cakaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




