Ne rrjet

Kriza politike po zbras Shqipërinë

Kriza politike që ka kapluar prej muajsh vendin duket se kanë rritur radhët e shqiptarëve që shpresojnë se mund t’u ofrohet azil nga vende si Franca apo Gjermania. Shifrat tronditëse janë tanimë një këmbanë alarmi se në mungesë të alternativave për t’u qeverisur, shqiptarët se po zgjedhin që të largohen nga vendi.

Sipas të dhënave të Zyrës Europiane të Mbështetjes së Azilantëve (EASO) nga janari i këtij viti deri në korrik, aplikimet për azil nga Shqipëria në vendet e Bashkimit Europian ishin gjithsej rreth 14 mijë, duke u rritur kështu me 24%, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të dhënat bëhen edhe më tronditëse kur nxjerrin në pah 2,000 persona në muaj kanë ikur nga vendi me qëllimin për të mos u kthyer më.

Rreth 90% e këtyre aplikimeve janë për herë të patë, ndërsa ka dhe nga ata që nuk heqin dorë dhe e tentojnë sërish fatin. Kjo është vetëm shifra që regjistrohet, pasi ka dhe shumë të tjerë që zgjedhin të largohen në heshtje, duke mos aplikuar për azil dhe duke mos treguar që nuk kanë ndër mend që të kthehen më.

Emigrantë, foto ilustruese. Gazeta Si, 23 shtator 2019

Sipas “Monitor”, rritja e tendencës për tu larguar është konstatuar që në muajt e fundit të 2018-s kur edhe filloi kriza politike.

“Ritmet e ikjes krahasohen me ato të vendeve të luftës, apo në konflikte të forta, duke e renditur Shqipërinë në listën e 10 shteteve me numër më të lartë aplikimesh. Në korrik psh nga Shqipëria kishte 1995 aplikime gjithsej, ndërsa nga Siria kishte 6,543, nga Afganistani 5 040, nga Venezuela rreth 3 800. Por, këto shtete kanë një numër shumë më të lartë popullsie, Siria (17 milionë banorë), Afganistani (38 milionë banorë), Venezuela (28 milionë banorë) ! Ndërkohë, shumica e aplikimeve nga shqiptarët refuzohen, mesatarisht 97% e tyre. Psh në korrik, vetëm 54 persona kanë marrë status refugjati, ndërsa 1470 vendime ishin negative, teksa Shqipëria konsiderohet si vend i sigurt dhe për më tepër është në proces integrimi në Bashkimin Europian”, shkruan gazeta.

Qytetarët e Irakut, Pakistanit, Turqisë, Kolumbisë, Iranit, Nigerisë dhe Shqipërisë plotësuan listën e 10 shtetësive me aplikimet më të larta.

Por nëse kriza politike vazhdon me këto ritme, ky ka të ngjarë të jetë vetëm fillimi i eksodit të shqiptarëve, pasi në janar në Gjermani hyn në fuqi një ligj që do t’ua lehtësojë emigrantëve punësimin në ekonominë më të madhe të Europës.

Së fundmi qeveria gjermane miratoi një ligj të ri për pranimin e punëtorëve të kualifikuar nga vendet e jashtë BE-së, duke hequr shumë nga pengesat që kishin bërë punësimin e qytetarëve nga Ballkani pothuajse të pamundur. Por cilat janë qëllimet e këtij ligji dhe çfarë do të ndryshojë ai për politikat e punësimit në Gjermani?


Ligji i ri do të heqë pengesat e tregut të punës për qytetarët jashtë BE-së, të cilët janë të kualifikuar dhe kanë aftësitë të mira në njohjen e gjuhës gjermane. Nëpërmjet projektligjit të ri, kompanive do t’u lejohet të rekrutojnë punëtorë të huaj në të gjitha profesionet, pavarësisht listës zyrtare të sektorëve që vuajnë mungesa të krahut të punës.

“Der Tagesspiegel” thekson se përveç të diplomuarve, ligji mundëson edhe punësimin e njerëzve me arsim profesional. Emigrantët do të lejohen të qëndrojnë gjashtë muaj në Gjermani dhe të kërkojnë punë. Nëse punësohen në profesionet ku ka mungesë akute të punëtorëve të kualifikuar, si në IT ose shërbime e kujdesit, emigrantët nuk do të kenë nevojë t’u vërtetojnë autoriteteve gjermane se janë të kualifikuar. Në të njëjtën kohë, qeveria gjermane merr përsipër të informojë më së miri aplikantët e mundshëm jashtë vendit dhe t’i drejtojë ata nëpër xhunglën e administratës gjermane.

Ligji propozon gjithashtu se qeveria nuk do të këmbëngulë që kompanitë të japin preferencën për shtetasit gjermanë në mbushjen e vendeve të lira para se të kërkojnë të huajt jashtë BE. Të diplomuarit dhe punëtorët me arsim profesional do të kenë mundësi të punësohen në Gjermani në të njëjtat kushte si gjermanët, nëse plotësojnë kualifikimet e caktuara nga punëdhënësit dhe flasin mirë gjermanishten.

Ata gjithashtu duhet të dëshmojnë se kanë burime të mjaftueshme financiare në mënyrë që ata të mos varen nga përfitimet e mirëqenies gjatë qëndrimit të tyre në Gjermani. Këto rregulla të reja ka të ngjarë të joshin edhe mijëra qytetarë të tjerë që të emigrojnë drejt Gjermanisë.
Shifrat zyrtare flasin se 1,5 milionë shtetas shqiptarë jetojnë e punojnë jashtë Shqipërisë, një shifët tejet alarmante që u dha nga vetë qeveria disa muj më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë