Politike

Kriza politike, OSBE gati të ndërmjetësojë, Meta i kërkon ndihmë Gremingerit

Prej dy ditësh në Tiranë po qëndron sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger. Qëllimi i vizitës së tij lidhet me faktin se vitin e ardhshëm, Shqipëria do të marrë drejtimin e kryesisë së radhës së OSBE-së. Vizita e zyrtarit të lartë përkon me një situatë aspak normale, pasi që nga muaji shkurt Shqipëria është në një krizë politike e shoqëruar me bojkotimin e zgjedhjeve lokale nga ana e opozitës.

Situata e brendshme politike përpara marrjes së një drejtimi të tillë historik për Shqipërinë, siç është kryesimi i OSBE-së duket se nuk është e favorshme dhe se kjo u bë e qartë nga vetë sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Greminger gjatë takimit që zhvilloi me ministrin e Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj.
Greminger thotë se OSBE është gati për të ofruar mbështetje për zgjidhjen e krizës, por zgjidhja duhet vijë përmes dialogut gjithëpërfshirës dhe të brendshëm.

“Shqipëria duhet të tregojë rolin e vet dhe duhet të dëshmojë se mënyra më e mirë për të zgjidhur konfliktet është dialogu. Ne pa diskutim që ndjekim nga afër zhvillimet politike në Shqipëri. Shpresojmë që ngërçi do të zgjidhet së shpejti. Besoj se zgjidhja do të gjendet brenda për brenda, por ne inkurajojmë dialogun. Është e nevojshme që të gjithë aktorët të angazhohen për funksionimin e demokracisë në vend. Pjesëmarrja në institucionet demokratike është e vetmja rrugë zhvillimi. OSBE është e gatshme për të ofruar mbështetje por asnjë zgjidhje nuk mund të jetë e qëndrueshme nëse nuk përfshihen të gjithë aktorët", tha Greminger.
Ai lëshoi mesazhin e qartë se deri në marrjen e një kryesimit të OSBE-së duhet të jetë një Shqipëri e bashkuar, duke nënkuptuar se kriza nuk duhet të jetë prezente tek një shtet që synon të luaj një rol apo të promovojë zgjidhjen e konflikteve në arenën ndërkombëtare gjatë ushtrimit të detyrës si kryesuese e radhës së presidencës së OSBE-së.

https://twitter.com/gremingerosce/status/1154307997428064256

“Kryesia e OSBE kërkon investim kohe, përpjekje, Shqipëria s’ka dyshim që do e kalojë me sukses, do jetë një ushtrim shpërblyes nga aspekti politik, dhe do jetë i frytshëm për Shqipërinë në arenën politike ndërkombëtare. Është shans, për komitetin e OSBE që të mësojë më shumë për Shqipërinë, për të mësuar nga perspektiva rajonale e këtij vendi. Kryesimi i mirë i OSBE do jetë edhe një argument më i fortë sa i takon edhe në rrugën drejt BE, pra Shqipëria duhet të dëshmojë se rruga më e mirë për të zgjidhur krizat është dialogu. Le ta bëjmë këtë një përvojë të suksesshme për të gjithë”, theksoi përfaqësuesi i lartë i OSBE-së.

Takimi i sotëm me dy delegacioneve

Ndërsa ministri i Jashtëm në detyrë, Cakaj u shpreh se qeveria është gatshme të bashkëpunojë brenda kornizës kushtetuese dhe institucionale, duke e fokusuar këtë angazhim në realizimin e reformës zgjedhore në vend, si me opozitën brenda dhe jashtë Parlamentit.

Thomas Greminger në takimin e sotëm

Meta i kërkon ndërhyrhen e OSBE-së për zgjidhjen e krizës
Përfaqësuesi i lartë i OSBE-së pati gjithashtu një takim edhe presidentin Ilir Meta. Kriza politike ka qenë në fokusin të besimeve mes Metës dhe Greminger. Zyra e shtypit e Presidentit bën të ditur se pasi e informoi për thellimin e krizës së gjithanshme, politike dhe institucionale që po kalon vendi, Kreu i Shtetit i kërkoi Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së ndërmjetësimin sa më parë të jetë e mundur midis palëve politike në vend për zgjidhjen e kësaj krize.
“OSBE ka një rëndësi të posaçme për sigurinë euro-atlantike dhe për Shqipërinë në veçanti. Është organizata e parë shumëpalëshe në të cilën Shqipëria aderoi pas rënies së komunizmit dhe që ka dhënë mbështetje të vazhdueshme për forcimin e demokracisë dhe shtetit ligjor në vendin tonë. Për rivendosjen e funksionimit normal të institucioneve demokratike dhe shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës mjaft kritike ku ndodhet vendi, është në interes të kredibilitetit të OSBE, të angazhohet për tejkalimin e krizës së rëndë në Shqipëri sa më parë të jetë e mundur”, ka deklaruar Meta.

Presidenti gjatë takimit me Greminger

Sipas presidentit, ky angazhim do të shërbejë si mundësi tepër e rëndësishme për rikthimin e vendit në shinat e demokracisë dhe sundimit të ligjit, por dhe konsolidimit të lidershipit të Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon, gjatë marrjes së Kryesisë së Radhës së OSBE, por edhe së ardhmes europiane të Shqipërisë, për më tepër kur presim që në 17-18 tetor Këshilli i Bashkimit Europian të vendosë për çeljen e negociatave të anëtarësimit.
“Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme dhe konkrete që kam ndërmarrë deri tani për parandalimin e kësaj situate, përpjekje që janë minuar nga aktorë të ndryshëm, jam edhe më i bindur tani se rruga e vetme është dialogu politik gjithëpërfshirës dhe i sinqertë që i jep zgjidhje të plotë e përfundimtare kësaj krize”, - deklaroi Presidenti Meta.

Në shtator pritet që të dalë raporti final i OSBE-së dhe ODIHR për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Ky dokument vlerësimi pritet të ndikojë edhe në raport me zgjidhjen e krizës politike në vend. Ndërsa sekretari i përgjithshëm i OSBE-së, Greminger gjatë qëndrimit në Shqipëri mësohet se ka takuar edhe ish-ministrin e Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati. OSBE ka ndjekur nga afër situatën politike në Shqipëri atë parazgjedhore.

Pikërisht dy ditë përpara zgjedhjeve do të drejtuesit e kësaj organizate botërore, Kryetari i Radhës i OSBE-së dhe ministri i Jashtëm dhe për Çështjet Evropiane i Sllovakisë, Miroslav Lajčák, Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, George Tsereteli dhe Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Roberto Montella do të mbanin një deklaratë të fortë duke kërkuar vetëpërmbajtje dhe ndalim të çdo akti dhune. “OSBE-ja ka monitoruar nga afër ngjarjet dhe i ka nxitur në mënyrë të përsëritur të gjithë aktorët relevantë të angazhohen në politika konstruktive, të respektojnë proceset demokratike të vendit dhe të tregojnë vetëpërmbajtje. Tani, më shumë se kurrë, është e domosdoshme që aktorët shqiptarë të punojnë së bashku për të kaluar ngërçin aktual, të angazhohen në dialog pa parakushte dhe të sigurojnë që zgjedhjet e kësaj të diele të zhvillohen paqësisht. Ne i nxitim të gjithë aktorët të mbështetin shtetin e së drejtës, të respektojnë rolet kushtetuese të institucioneve demokratike përkatëse dhe të drejtat e njeriut, si dhe të shmangin dhunën; si autorët, ashtu edhe nxitësit e akteve të dhunshme do të jenë përgjegjës ligjërisht. Gjithashtu, në u bëjmë thirrje institucioneve të zbatimit të ligjit të përdorin masa përpjesëtimore”, thuhej në këtë deklaratë.

Nuk është hera e parë që OSBE-ja ka marrë një rol ndërmjetësues në Shqipëri. Pas krizës të madhe të vitit 1997, OSBE-ja kishte një rol të rëndësishëm në vendin tonë duke pasur një status special, duke pasur një rol të lartë vëzhgimi, si dhe në hartimin e ligjeve të ndryshme, veç asaj të asistencës së përhershme për reformën zgjedhore. Ndërkaq OSBE-ja do të ndërhynte fuqishëm edhe në zgjidhjen e krizës politike që Shqipëria përjetoi në vitin 2007, përsëri për zgjedhjet lokale. Asaj kohe në pushtet ishte PD me kryeministër Sali Berishë dhe se opozita e udhëhequr nga kryesocialisti Edi Rama nuk pranonte të hynte në zgjedhje, pa u plotësuar disa kushte.
Në lojë hyri kryetari i radhës së OSBE-së, Ministri i Jashtëm spanjoll, Miguel Angel Moratinos, i cili dërgoi në Tiranë të dërguarin e tij të posaçëm, Ambasadorin Jose Pons, për të lehtësuar dialogun. Pikërisht më 10 janar diplomati Pons mbërriti në Tiranë ku zhvilloi takime me kryeministrin Sali Berisha për zgjidhjen e ngërçit. Pas këtij takimi, presidenti Alfred Moisiu më 11 janar do të thërriste të gjithë krerët e partive politike të koalicionit të mazhorancës dhe opozitës në Presidencë, duke i ftuar të gjenin një zgjidhje për daljen e ngërçit politik dhe zhbllokimin e procesit zgjedhor.
Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së në Tiranë duket se ka ardhur me këtë mision që të shtyjë palët drejt një zgjidhjeje, por që siç duket po kërkon që përpara se ky organizëm të ndërmarrë një hap të tillë, duhet që fillimisht mazhoranca dhe opozita të bien dakord. Mesazhi se “Shqipëria duhet të jetë e bashkuar në marrjen e kryesimit të OSBE-së” i lëshuar nga zyrtari i lartë i këtij organizimi tashmë është mbi tryezën e partive politike shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë