Treg

Kriza për punëtorë në fasoneri është thelluar

Nga Gazeta Si – Me kostot që rriten përditë dhe mungesën e punëtorëve, sektori i fasonerisë mezi po i mbijeton tregut.

Edvin Prençe, kryetar i Shoqatës Pro-Eksport thotë për Gazetasi.al se tregu për momentin ka nevojë për rreth 20 mijë punëtorë.

Ai shton se ndonëse ka patur një trend në rritje të lehtë për punonjës të mëparshëm që po rikthehen të nxitur nga pasiguria ekonomike, oferta  është shumë larg nevojave për vende pune që sektori kërkon.

Edvin Prençe thotë se sektori mezi po mbijeton

Numri i punonjësve të munguar është rritur me 5 mijë që nga viti i kaluar. Emigracioni është arsyeja kryesore.

“Njerëzit po largohen çdo ditë jashtë vendit. Një rigjenerim i një fashe moshe me punonjës të rinj në moshë po kthehet në tabu dhe gati po fillon të zhduket.

Kriza për fuqi punëtore ka kohë që po ndihet në të gjithë botën edhe në Amerikën e Largët.

Kostot që rriten përditë për të mbajtur aktiv një biznes në sektorin ‘Manifakturë të veshjeve dhe këpucëve’ si dhe gjetja e punonjësve per makineri qe rrinë bosh në fabrikat tona, po kthehet sfida e momentit për të mbijetuar”, vijon Prençe për Gazetasi.al.

Rritja e kostos së energjisë, karburantit,mungesa e likuiditetit që kanë bizneset për investime dhe mos mbështetja e qeverisë sipas Prençes po favorizojnë vendet e tjera të rajonit si Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

“Konkurrentët tanë në vende si Maqedonia apo Serbia janë të mbrojtur dhe të mbështetur nga shtetet e tyre. Rreziku që firmat e huaja të cilët bashkëpunojnë me ne të largohen drejt këtyre vendeve është tepër i lartë”, shton ai për Gazetasi.al.

Për të sektori është “zemra e ekonomisë” shqiptare. Vetëm në gjysmën e parë të këtij viti të ardhurat nga fasoni arritën në 340 milionë euro ndaj sipas tij qeveria duhet t’i mbështesë më shumë.

Megjithatë, ajo që gati e dërgoi në kolaps këtë sektor ishte prishja e ekuilibrit relativisht të qëndrueshëm euro/lek që i gjeti krejt të papërgatitur dhe ua shtoi edhe më shumë vështirësitë.

 “Prej kur euro nisi rënien graduale në verë, sektori i manifakturës së veshjeve dhe këpucëve pati një humbje deri në 20%. Pati një rënie të prodhimit të brendshëm dhe një ulje të faturimeve dhe të ardhurave që biznesi ka. Kjo ulje e tyre patjetër që çoi në mungesë likuditeti për të bërë investimet e nevojshme dhe për të patur mundësi për të shtuar fonde të reja pune”, tha ai më tej.

Një tendencë e re, hapen linja prodhimi në zonat rurale

Kjo mungesë e fuqisë punëtore ka krijuar tendenca të reja në Shqipëri duke hapur linja të reja prodhimi në zonat rurale, aty ku me parë nuk ka ekzistuar industria.

Linjat e reja prodhuese me qëllim rritjen e prodhimit janë vënë si kusht nga klientët e huaj në mënyrë që të mos shkojnë në një vend tjetër.

“Edhe këtu po ndeshemi me vështirësi dhe kosto me përgatitjen profesionale të këtyre punonjësve.

Këto kosto pothuajse po përballohen plotësisht nga vetë bizneset dhe nuk ka inicativa për mbështetjen e këtyre bizneseve. Kostoja minimale për ngritjen e një linje të zakonshme, varion nga 80.000 deri në 100.000 euro”, mbyll Prençe për Gazetasi.al.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë