Politike

Kriza, opozita e hedh topin te Meta. PS: S’shkelim Kushtetutën

“Zgjedhje pa opozitën më 30 qershor nuk do të ketë!” Ky është mesazhi i lëshuar në bllok nga liderët e opozitës, të cilët kanë kërcënuar se më 30 qershor do të prishin procesin zgjedhor duke bllokuar Qendrat e Votimit.
Një kërcënim i pandodhur më parë nga ndonjë parti politike në historinë e pluralizmit, e që shihet nga opozita si përshkallëzim i qëndrimeve të tyre duke e cilësuar si mos bindje civile. Opozita me këto qëndrime po kërkon të realizojë kërkesën e sa për krijimin e një qeverie tranzitore pa Edi Ramën.


Në kushtet e djegies së afatit për regjistrimin në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, opozita duket se po kërkon të dalë nga qorrsokaku ku është zhytur dhe nga përjashtimi i procesit zgjedhor. Në thelb kërkesa e opozitës është shtyrja e zgjedhjeve dhe për këtë janë vënë lëvizje edhe ndërkombëtarët që kanë nisur takimet me kryedemokratin Basha, apo dhe me aleatët e tjerë të tij, që janë kundër mbajtjes së zgjedhjeve më 30 qershor. Të tilla janë takimet e ambasadorëve Soreca të BE-së dhe Borchardt të OSBE-së, menjëherë pas djegies së afatit për regjistrimin në KQZ, si dhe firmosjes së koalicionit të ri opozitar.

Kryetari i PR Fatmir Mediu, kryetari i LZHK, Dashamir Shehi, kryetari i PDK, Nard Ndoka, kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule, kryetari i PAA, Agron Duka, duke folur pas takimit me kreun e delegacionit të BE në Tiranë ambasadorin, Luigi Soreca/ Foto LSA


Por pas takimit që aleatët e PD (pa Bashën) patën dje me ambasadorin e BE-së, Fatmir Mediu lëshoi apelin që presidenti Ilir Meta të merrte në dorë situatën për zgjidhjen e krizës politike.

“Ne do t’i kërkojmë Presidentit të Republikës që të thërrasë një tryezë të pozitës dhe opozitës për të zgjidhur këtë situatë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Çdo gjë tjetër do të ishte shkatërruese për vendin. Soreca dhe të gjithë janë në mbështetje të dialogut. Të arrijmë të garantojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe përfaqësimin e të gjithë subjekteve politike. Çdo lojë tjetër do të ishte shkatërruese për vendin dhe në këtë moment ne si forca politike mendojmë se është përgjegjësia jonë që të negociojmë me të gjitha palët dhe institucionet që duhet ta mundësojnë këtë dialog. Kështu kemi vepruar me OSBE, i kërkuam ambasadorit Soreca dhe jemi vlerësues që ai pranoi të diskutojë me ne dhe të shikojmë një hapësirë për të mbështetur një dialog të vlefshëm për interesat e vendit”, do të deklaronte Mediu pas takimit.

Presidenti Ilir Meta akoma nuk ka dhënë sinjale se mund të ndërmarrë nismën për një tryezë politike mes mazhorancës dhe opozitës. Apeli i opozitës ndaj presidentit duket se po shoqërohet edhe me kushte, pasi të PD dhe aleatët duket se kanë preferenca të tjera për të caktuar emrat nga PS-ja me të cilët mund të ulen. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në një intervistë televizive dha pikërisht këtë mesazh. “Kjo është çështje e Presidentit dhe ne e kemi bërë shumë të qartë që shkojmë me një marrëveshje me disa pika që janë shumë të qarta ku ne kërkojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme që do të thotë që ti je i lirë që ti do të shkosh të votosh dhe të të numërohet vota jote që ti do kështu që ti e ke shumë të thjeshtë për këtë”, do të deklaronte Kryemadhi ndaj pyetjes se me kë do të uleshin në tryezë nëse njëra palë nuk pranon.

Meta në aktivititetin e zhvilluar për 60-vjetorin e gjimnazit

Ndërsa vetë Meta u shfaq dje në një takim të organizuar për 60 vjetorin e gjimnazit “Petro Nini Luarasi” në krah të ministrit të Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko. Në këtë aktivitet nuk mungonte as ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili kohët e fundit ka qenë i ashpër sa përket qëndrimeve të mazhorancës në raport me krizën politike në vend. Majko mbahet si personi konsensual edhe në kampin e opozitës, ku mund të shërbejë edhe si pika e kontaktit me të, me ndërmjetësues presidentin Meta.


Gjermanët me mision në Tiranë për krizën, Balla: Zgjedhjet më 30 qershor

Partia Socialiste deri më tani ka rrëzuar qëndrimet e opozitës, duke deklaruar se zgjedhjet lokale do të mbahen më 30 qershor. Kjo nënkupton se PS-ja për momentin është kundër shtyrjes së këtij procesi, edhe pse lë jashtë konkurrimit PD-në, LSI-në dhe aleatët e tjerë. Këto ditë në Tiranë ndodhet raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm të Bundestagut gjerman, Christian Schmidt, si dhe deputeti Christian Petry, deputet i Partisë Socialdemokrate gjermane.
Prej dy ditësh delegacioni ka zhvilluar takime me presidentin Meta, kryeministrin Edi Rama dhe pritet dhe me liderë të partive të opozitës. Kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla takoi sot Christian Petry, që është kryetar i Komisionit për Çështje të Bashkimit Evropian si dhe zëdhënës i grupit parlamentar të SPD-së për politikën evropiane. Përfaqësuesi socialdemokrat gjerman shoqërohej nga Kerstin Villalobos, referente koordinuese e grupit parlamentar të SPD-së për politikën evropiane, si dhe Johannes Dietrich, Zv. Ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë. Një vizitë që i ngjan një misioni faktmbledhës sa i takon situatës në Shqipëri, përpara se dalë raporti i KE-së për vendin tonë, si dhe para se të shprehej dhe Bundestagu gjerman për çështjen e negociatave.

Christian Petry, deputeti gjerman i SPD


Pas takimit Taulant Balla u shpreh i qartë se PS-ja nuk do të t’i japë pushtet në tavolinë Lulzim Bashës, duke theksuar se ky është edhe synimi i kryedemokratit.
“Pushtet në tavolinë nuk ka në demokraci drejtimi i bashkive mund të fitohet vetëm me konkurrim të lirë. Në sondazh duket qartë se Basha jo vetëm që nuk fiton në asnjë prej bashkive që ne qeverisim, por për herë të parë PD humb dhe në bashkitë që ka qeverisur. Dua t’ju them qytetarëve të Kukësit dhe atyre që ka qeverisur LSI se mezi presim të marrim mandatin në 30 qershor që t’iu shërbejmë. Zgjedhjet e 30 qershorit do të zhvillohen. Askush nuk mund t’i heqë të drejtën popullit shqiptar për të vendosur se cili do jetë kryemenaxheri i administrimit të qytetit. Askush nuk mund të vendosë kushte mbi Kushtetutën. Ajo që kemi thënë prej ditës së parë është dialog, por jo që të shkelet mbi Kushtetutën. Ne nuk pranojmë në asnjë rast që të shkelet mbi Kushtetutën. Ne kemi qenë të hapur gjithmonë të hapur për çdo lloj formë dialog, por ky dialog nuk shkel mbi parimet kushtetuese. Zgjedhjet e 30 qershorit do të zhvillohen, kush guxon të prishë zgjedhjet apo të pengojë zgjedhjet shkon në burg ”, deklaroi Balla, pas pyetjes nëse PS-ja do të marrë pjesë në një tryezë politike.

Thirrja gjermane për Bashën: Hyni në zgjedhje
Deputeti i Bundestagut, Christian Petry pas takimeve të zhvilluara me kryeministrin Edi Rama dhe me kryedemokratin Lulzim Basha ka dalë në një deklaratë për median duke theksuar se opozita duhet të marrë pjesë në zgjedhje, duke e konsideruar si jo të duhur vendimin për të braktisur Parlamentit.
Petry tha se bllokimi i jetës politike ndikon edhe në aktivitetin e shoqërisë civile.
“Pas bisedave me politikanë konstatova raportin e vështirë mes opozitës dhe qeverisë. Braktisja e Parlamentit nga opozita ishte hap jo i duhur. Kultura politike e Shqipërisë ka qenë në rritje, nuk e kuptoj daljen nga Parlamenti në këtë periudhë. Bllokimi i jetës politike ndikon edhe në aktivitetin e shoqërisë civile. Partia Demokratike të futet në zgjedhjet e 30 qershorit. Qeveria dhe opozita të dialogojnë. Ata mund të angazhohen me më shumë forcë dhe energji”, tha deputeti socialdemokrat gjerman.
Petry shtoi se Shqipëria po bën përpjekje të mëdha në reformimin e shtetit të së drejtës.
“Shqipëria ka përpjekje të mëdha në reformimin e shtetit të së drejtës. Një sistem i qëndrueshëm sa i përket sigurisë, një administrate funksionale janë kushte për zhvillim ekonomik. Çelja e negociatave dhe procesi i reformave do të konsolidohet më tepër. Ndërmarrja e hapit të radhës pas hapjes së negociatave nuk do të thotë se rruga e mbetur do të jetë e lehtë”, vijoi ai më tej.

Edhe raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm të Bundestagut gjerman , Christian Schmidt ndodhet për vizitë në Tiranë për tu takuar me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Ish-ministri gjerman i Bujqësisë, Schmidt në lidhje me krizën politike në Shqipëri shprehet se palët duhet të ulen në dialog. Por ajo çka e shqetëson më shumë deputetin gjerman është çrregullimi në radhët e demokratëve.


Christian Schmidt


“Qeveria dhe opozita janë pjesë e një demokracie funksionale. Kjo gjithashtu do të thotë se të gjithë kanë një shans të drejtë për të shprehur publikisht pozicionin e tyre. Jo vetëm nga pikëpamja e opozitës, për fat të keq, ekziston shqetësimi se kjo drejtësi nuk ekziston në Shqipëri. Nuk duhet fajësuar veten opozita e cila ka marrë hap ekstrem. Duhet tu kërkohet të gjithëve, posaçërisht qeverisë. Natyrisht, në fund, një parlament i plotë duhet të jetë në gjendje të punojë dhe të marrë vendime. Unë jam i shqetësuar sepse kultura e bashkësisë së të gjithë demokratëve është çrregulluar rëndë”, tha Schmidt në një prononcim për Vizion Plus.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë