Nga Gazeta ‘SI’ – Gjatë vitit të kaluar në Agjencinë Kombëtare të Punësimit, u shpallën 39.815 vende të lira pune nga të cilat pothuajse 90% ishin për punë krahu dhe profesione elementare. Rreth 11% e tyre ishin për menaxherë dhe nënpunës të tjerë.
Të papunët që u regjistruan në zyrat e punësimit ishin mbi 78 mijë, mbi dy herë më shumë se vendet e lira të punës në dispozicion.
Fusha me më shumë ofertë për punë rezulton ajo e industrisë përpunuese në vend, pra fasoneritë, bizneset automotive dhe ato të ushqimit. Më pas tregtia, hoteleri-shërbimi, ndërtimi dhe info-komunikimi.

Në vitin 2022 mbi 40% të vendeve të lira të punës ishin në industrinë përpunuese, të cilët përfaqësohen nga linjat e prodhimit në sektorin fason, industrinë ushqimore dhe atë automotive.
Kategoritë profesionale më të kërkuara nga tregu për vitin 2022 ishin zejtarët dhe zanatçinjtë 28%, profesionet elementare 23%, punonjësit e industrisë dhe punonjësit e shitjeve me 15% dhe shërbimeve me 14%.
Viti i shkuar ishte kulmi i ‘krizës së fuqisë punëtore’ në vend, ku bizneset, sidomos ato të shërbimeve u penalizuan fort nga mungesa e punonjësve dhe nga pamundësia për të punësuar. Siç konfirmohet edhe nga AKP, bëhet fjalë për profesione elementare që zakonisht janë të keqpaguara dhe në kushte jo fort të mira puna. Gjithsesi edhe biznese dedikuar teknologjisë apo komunikimit raportuan problematika të ngjashme me punonjësit, ndonëse shfaqen më tërheqëse për të rinjtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




