Me 1.1 mld euro e mbylli vitin tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri. Me një rritje prej 15-17% krahasuar me vitin paraardhës.
Të dhënat konfirmohen nga NAREA, Shoqata Kombëtare Shqiptare e Pasurive të Paluajtshme.
380-400 milionë euro janë kredi nga bankat, 100 milionë euro janë pjesa që blerësit vendosin kur marrin kredi (80% është kredi dhe 20% Down payment), 300 milionë euro janë investimet e huaja direkte në pasuri të paluajtshme (Kosovë, Maqedoni, Italianë, Ukrainë, Poloni, Çeki, Gjermani, Hollandë, Belgjikë dhe Nordik), 80-100 milionë euro janë nga remitancat (830-850 milionë euro janë remitancat për 2022).
“80% e tregut vijnë nga këto burime, pjesa tjetër janë kursime të asaj pjese të shoqërisë në vend që kanë mundësi të kenë shtëpinë e dytë apo të tretë: kryesisht nga sipërmarrësit dhe Profesionet e Lira: Avokat, Noterë, Mjekë, Dentistë, Arkitektë, Inxhinierë të disiplinave të ndryshme, ”shpjegon Reinaldo Pipiria, Drejtor Ekzekutiv i NAREA.
Krizat e njëpasnjëshme nuk e kanë ndalur tregun e pasurive të paluajtshme në Shqipëri.
Përfaqësuesit e brandeve më të rëndësishëm të këtij tregu në Tiranë pohojnë se viti që lamë pas ka qenë shumë i suksesshëm për biznesin e tyre.
Ka pasur dinamika si në tregun e shitblerjes, ashtu edhe atë të qirasë. Por ajo që e dominon më shumë tregun 10 vitet e fundit janë transaksionet e qirasë.
Çmimet janë rritur si për shitblerjet, edhe për qiratë. Ajo që vihet re ndër individë dhe familje është kërkesa për qira me çmime ekonomike dhe mungesa e kësaj oferte.
“Përpara dy ditësh dikush vendosi një njoftim për dhënie të një apartamenti 1+1 me qira, bosh pranë Kristal Center. Çmimi ishte 400 euro. Dje erdhi dhe e hoqi. E kishin marrë. Është bërë shumë keq në këtë zonë për të gjetur shtëpi me qira edhe pse çmimet janë rritur shumë”, shpjegon Toni, shitësi i një bulmetoreje në këtë zonë.
Dritan Leka, ekspert në fushën e pasurive të paluajtshme shpjegon se “Çmimet e qirasë janë rritur si pasojë e rritjes së çmimeve të shitjes apo e çmimeve të tjera pjesë e kostove të jetesës. Është rritur dhe qiraja tek transaksionet me vlerë të ulët 200-250€.”
Viti 2022 shënoi dhe thyerjen e barrierës negative për Euriborin. Dhe si pasojë e rritjes së tij, të gjitha kreditë që merren në vijim kanë interes bankar shumë të lartë me norma 5-8% (interes + euribor). Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për 3 mujorin e katërt të 2022 interesat e kredive për banesa arritën në 10,1%.
Prandaj, shpjegon eksperti Leka, për një familje me të ardhura të ulëta ka më shumë leverdi qiramarrja në kushtet e sotme.
Pse një kërkesë kaq e lartë dhe në rritje për pasuri të paluajtshme?
Vetëm në gjysmën e dytë të vitit 2022 Bashkia e Tiranës dha mbi 1000 kredi të buta për banorët e saj. Kredia për banesa, në 2021 ka qenë 325 milionë euro, në 2022 është rritur në 380-400 milionë.
Investimet e huaja direkte në pasuri të paluajtshme, në 2021 kanë qënë 191 milionë, në 2022 janë rritur në 300 milionë euro. Remitancat (totale) në 2021 kanë qënë 761 milionë, në 2022 janë në nivelin e 830-850 milionë eurove.
Po kështu rritja në zonat rreth Unazës së Vogël të Tiranës solli një përqendrim të ofertës në zonat periferike të kryeqytetit si Astir dhe Fresku ku rritja e çmimeve është më e madhe.
Sa i përket bregdetit sidomos atij të Jugut, kërkesa e madhe nga emigrantët, por dhe të huajt sidomos nga vendet nordike ka sjellë rritje të dukshme të çmimeve në të gjithë vijën bregdetare, sidomos në komplekset e reja që po ndërtohen me një standart të lartë.
Eksperti i tregjeve financiare Artan Gjergji e lidh rritjen e kërkesës së konsumatorëve për pasuri të paluajtshme me disa faktorë: për shkak të burimeve të ndryshme të financimit nga ekonomia gri dhe ekonomia e zezë me burime të paligjshme (nuk ka pasur filtra për të mbajtur këtë grup jashtë tregut), të cilët i kanë parë pasuritë e patundshme si një alternativë e mirë investimit.

Rritja e kërkesës për shkak të rritjes së financimit të bankave për tregun e pasurive të patundshme (mortgage loans).
Reduktimi i ofertës për shkak të reduktimit të hapësirave boshe në dispozicion për ndërtim.
“Në këtë kontekst tregu që lëviz më shumë në Tiranë është tregu i qirave pothuajse në të gjithë teritorin. Nga statistikat tona tregu I qirave është shumë më dinamik se ai i shitjeve. Pas pandemisë që shënoi një stopim të qirasë por jo ulje, hapje e vendit për turizmin por dhe për ekonominë i dha një zhvillim të madh këtij tregu,” shpjegon Dritan Ballgjini ekspert në tregun e pasurive të paluajtshme.
Sipas tij, kthimi i apartamenteve në Airbnb me qira ditore brenda unazës së vogël ka sjellë një mungesë apartamentesh me qira në këtë zonë, rritje oferte dhe po ashtu rritje të çmimit të qirave.
Punësimi në Tiranë, rritja e rrogave dhe mungesa e punonjësve është një shkak tjetër i rritjes së kërkesës për qira pasi e gjithë Shqipëria e sheh Tiranën si vendin ku paguhet më mirë.
Punojësit e huaj që merren në Tiranë dhe punojnë për kompani të ndryshme shqiptare dhe të huaja kërkojnë një standart tjetër jetese dhe kushte të mira banimi.
Studentët e huaj dhe shqiptarë që studiojnë në Shqipëri kanë rritur vlerën e qirave të apartamenteve në zonat ku janë përqendruar univeristietet. Një shembull i mirë është rritja e çmimit të qirave në veri të Tiranës ku sot Kinostuadio, Oxhaku dhe Freksu kanë kërkesa për shtëpi me qira, por jo ofertë për një të tillë. Kjo mund të thuhet për Zogun e Zi dhe Don Boskon.
“Shumë kompani shqiptare po importojnë nga jashtë fuqi punëtore që rrit kërkesën për apartamente të lira,” sqaron Ballgjini.
Këta faktorë e kanë rritur qiranë në vlera mbi 15% edhe në zona më periferike. Në zonat elitare dhe qendrore një rol të madh luan mobilimi i tyre .
Sa i përket trendit rritës të çmimeve të qirave, kjo për ekspertin Artan Gjergji vjen për shkak se një pjesë e konsiderueshme e hapësirave për banim/biznes janë investim për pronarët e tyre, dhe normalisht që pritshmëritë e tyre për një normë kthimi nga ky investim rriten njëtrajtësisht me rritjen e kostove të investimit (pra çmimit të blerjes së pronës). Kjo sjell edhe një rritje mesatare të nivelit total të çmimeve të qirave. Pra këto dy segmente të tregut janë në një korrelacion të drejtë.
Çmimet e larta të qirave: Pse jo një shtëpi tënden?
Kur një individ apo familje ka një buxhet mujor 400-500 euro për strehim, pse zgjidhet qiraja dhe jo pronësia?
Eksperti i tregjeve Artan Gjergji nxit pronësinë mbi banesën.
“Kjo varet krejtesisht nga kërkesë/oferta. Thënë ndryshe, nëse karakteristikat e kërkuesit për strehim janë të caktuara (psh çmimi i lartë që mund të ketë shtëpia, pritshmëritë e konsumatorit, zona ku merret shtëpia, kushtet që ka ajo, afatgjatësia e përdorimit mund të jetë e përkohshme etj.) atëherë mund të konsiderohet më e favorshme marrja me qira se sa blerja e të njëjtit aset në të njëjtën kohë. Në kushte normale rekomandohet më mirë blerja e një aseti dhe pagimi me këste sepse është investim dhe në mënyrë graduale, blerësi bëhet zotërues/pronar i asetit me çdo shlyerje kësti. Kurse qiraja është një shpenzim (nuk është investim), dhe si i tillë, edhe pse në fillim ju duket version më i lirë, në afatmesëm dhe afatgjatë është një humbje e pakthyeshme.”- shpjegon Gjergji.
Sepse në të vërtetë çmimi i qirasë mund të jetë edhe kësti i kredisë.
Por përgjithësisht, shpjegon eksperti Dritan Ballgjini, çiftet e reja që janë qiramarrësit më të shumtë nuk e kanë arritur akoma standardin që të kursejnë disa para që të blejnë një apartament, pasi të gjitha bankat në Shqipëri financojnë 75-80% të çmimit të apartamentit.

Ky hendek pagesash krijon këtë treg për qiratë. Stabiliteti në punë dhe kompaninë ku punojnë është një arsye tjetër, stabiliteti financiar dhe kohor.
“Media në Shqipëri po luan një rol të veçante edhe duke treguar emigrimin si një arsye të mirë që edhe kjo shtresë ta shohi veten e vet në një periudhë të shkurtër në perëndim.”- thotë ai.
Ky shpjegim rridhte nga logjika dhe analiza ekonomike, por në fakt me sy të lirë, të paktën në Tiranë të gjithë shohim apartamente bosh, veçanërisht në pallate të reja dhe në zona elitare ku 1 metër katror arrin deri në 5000 euro për metër katror. Ato janë apartamente të shitura, por të pabanuara. Kjo pjesë shpjegon paranë informale dhe pastrimin e parave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




