Për krizën politike në Shqipëri vijojnë të shfaqen qëndrime të ndryshme nga partia e Kristiandemokratëve (CDU) e kancelares Angela Merkel. Olav Gutting është deputeti që ka lëshuar së fundmi një deklaratë në lidhje me situatën politike në vendin tonë, ku e cilëson si shqetësuese.
“Mbi të gjitha, Shqipëria është mik dhe partneri ynë, dhe nuk duhet të harrojmë se shqiptarët janë njerëzit më pro BE në rajon, bazuar kjo në të gjitha anketat e Bashkimit Europian. Ne gjithashtu kemi mbështetur Shqipërinë në perspektiven e saj drejt për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Me ndihmën e KfW, por jo vetëm, ne kemi investuar shuma të mëdha në Shqipëri, e cila ka bërë progres mahnitës nga periudha e diktaturës deri tek anëtarësimi në NATO dhe tani vend kandidat për në BE. Së dyti ne duhet të jemi sensitivë në dërgimin e mesazheve nga Gjermani në Shqipëri. Mosmarrëveshjet e brendshme janë shqetësuese, por ne duhet të jemi të kujdesshëm në përcjelljen e mesazheve ndaj Shqipërisë, si për shembull në lidhje me datën e zgjedhjeve”,- shprehet Gutting nëpërmjet kësaj deklarate.
Deputeti gjerman gjithashtu ka lëshuar edhe një mesazh për qëndrimet e opozitës, duke kontestuar qëndrimet e mbajtura dhe aksionin e saj.
“Mund të themi se bojkoti i Parlamentit dhe hedhja e molotovëve nuk është një opsion. Kjo është e gabuar dhe nuk përputhet me parimet tona. Mosmarrëveshjet politike duhet të zgjidhen nëpërmjet dialogut dhe debateve parlamentare, jo duket luftuar nëpër rrugë”, shprehet më tej ai.
Në njëjtën kohë ai hedh idenë edhe si një kusht ku kërkon që të shqyrtohet çështja e çeljes së negociatave vetëm në kohën kur të ketë dialog politik mes mazhorancës dhe opozitës shqiptare.
“Së treti, ne duhet të përshëndesim progresin e Shqipërisë, të bazuar në raportin e Komisionit Europian, dhe të angazhohemi me përgjegjësi në rekomandimin e Komisionit për të hapur bisedimet me Shqipërinë. Atje ka një progres të prekshëm. Unë pajtohem me idenë se ne duhet të shohim në proces sipas pikëpamjes tonë dhe ta analizojmë atë më vonë. Por kjo duhet të ndodhë me dialog. Unë dua të përgëzoj të gjithë njerëzit dhe autoritetet shqiptare për përpjekjet dhe arritjet. Ata kanë ende një rrugë të gjatë për të ecur dhe probleme serioze për t’u zgjidhur. Në këtë fazë Shqipëria meriton respektin tonë dhe mbështetje të plotë”, mbyll deklaratën e tij deputeti kristiandemokrat.
Gjermania po ndërmerr një rol të veçantë për sa i takon zgjidhjes së krizës politike në Shqipëri, por kohët e fundit ka pasur disa qëndrime të ndryshme pro dhe kundër shqyrtimit të kohës së çeljes së negociatave apo dhe faktin se shtyrjes së datës së zgjedhjeve lokale me qëllim arritjen e një kompromisi politike me partive shqiptare të shumicës dhe opozitës.
Zëvendëskryetari i grupit parlamentar CDU/CSU dhe njëherazi kryetar i grupit parlamentar të Ballkanit Perëndimor, Johann David Wadephul është më i ashpër në qëndrimet e tij ku deklaron se Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë nga kushtet e caktuara në Këshillin e Ministrave të Jashtëm, të datës 28 qershor 2018. Në një deklaratë më të fundit, kreu i grupit parlamentar të partisë në pushtet në Gjermani pohon se ekziston një marrëveshje me grupin parlamentar socialdemokrat që çelja e negociatave me Shqipërinë të trajtohet në shtator të vitit 2019.
“Një shqyrtim i këtillë nuk mund të bëhet me nxitim. Kjo as nuk do të justifikohej dot para popullsisë gjermane, e as nuk do të ishte e drejtë ndaj vendeve në fjalë. Ndaj Bundestagu gjerman do të mund të vendosë vetëm në fund të shtatorit për çeljen e negociatave të anëtarësimit, sikurse është rënë dakord me kolegët e grupit parlamentar socialdemokrat”, tha ai për Deutche Welle.

Këtyre qëndrimeve iu kundërvihet ministri gjerman për Integrimin, Michael Roth, i cili është pro marrjes së vendimit për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Ai këmbëngul që Shqipërisë t’i çelen negociatat në qershor, sikurse është premtuar një vit më parë. Roth argumenton në një artikull të publikuar të mërkurën në gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung se Shqipëria i ka plotësuar detyrat e saj dhe se e meriton çeljen e negociatave.
Sa i përket krizës politike, grupi parlamentar CDU/CSU është ende i gatshëm të ndihmojë. “Të dyja palët duhet të jenë të gatshme për një dialog të tillë pa parakushte. Asnjë temë nuk duhet përjashtuar që më parë”, thotë Wadehpul.
Në një deklaratë të mëparshme të dhënë ekskluzivisht për DW, së bashku me kolegun e tij Christian Schmidt, raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e jashtëm, Wadephul kishte lënë të hapur edhe opsionin e shtyrjes së zgjedhjes, si një mundësi për të dalë nga kriza. Por kjo ka pasur edhe kontestime brenda radhëve të CDU-së ku është deklaruar se nuk mund të ndërhyhet në çështjet e brendshme sa i për datës së zgjedhjeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




