Mjedis

Kriza e ujit po troket, kërkesa globale për ujë të freskët do të tejkalojë furnizimin me 40% deri në vitin 2030

Bota po përballet me një krizë të afërt të ujit të pastër. Kërkesa pritet të tejkalojë furnizimin me ujë të freskët me 40%, deri në fund të kësaj dekade, janë shprehur ekspertët, në prag të një samiti të rëndësishëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (United Nations, UN) për ujin.

Qeveritë duhet të ndalojnë urgjentisht subvencionimin e nxjerrjes dhe përdorimit të tepërt të ujit, përmes subvencioneve bujqësore të keqmenaxhuara si dhe industritë, nga minierat te prodhimi, duhet të detyrohet për të përmirësuar praktikat e tyre të kota, sipas një raporti mbi ekonominë e ujit.

Kombet duhet të fillojnë të menaxhojnë ujin si një “bashkësi globale”, sepse shumica e vendeve janë shumë të varura nga fqinjët e tyre për furnizimin me ujë dhe përdorimi i tepërt, ndotja dhe kriza klimatike, kërcënojnë furnizimet me ujë në nivel global, thonë autorët e raportit.

Johan Rockstrom, drejtori i Institutit të Potsdamit për Kërkimin e Ndikimit Klimatik (Potsdam Institute for Climate Impact Research) dhe autori kryesor i raportit, tha se neglizhenca aktuale në botë ndaj burimeve ujore po çon në katastrofë.

“Provat shkencore tregojnë se kemi një krizë uji. Ne po keqpërdorim ujin, po ndotim ujin dhe po ndryshojmë të gjithë ciklin hidrologjik global, përmes asaj që po i bëjmë klimës. Është një krizë e trefishtë”.

Për herë të parë, raporti ka shqyrtuar sistemin global të ujit, në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe rëndësia e tij për vendet dhe pasojat nëse uji keqmenaxhohet janë paraqitur në terma të qartë. Ashtu si me studimin e ekonomisë së krizës klimatike në 2006, dhe me rishikimin e ekonomisë së biodiversitetit në 2021, autorët e raportit shpresojnë t’i japin rëndësinë e duhur krizës, në një mënyrë që politikëbërësit dhe ekonomistët mund ta njohin.

Shumë qeveri ende nuk e kuptojnë se sa të ndërvarura janë, kur bëhet fjalë për ujin, sipas Rockstrom. Gjysma e furnizimit me ujë të shumicës së vendeve, varet nga avullimi i ujit nga vendet fqinje, i njohur si uji “i gjelbër”, sepse mbahet në tokë dhe shpërndahet nga transpirimi në pyje dhe ekosisteme të tjera, kur bimët marrin ujin nga toka dhe lëshojnë avujt në ajër nga gjethet e tyre.

Raporti parashtron shtatë rekomandime kryesore, duke përfshirë riformësimin e qeverisjes globale të burimeve ujore, përshkallëzimin e investimeve në menaxhimin e ujit përmes partneriteteve publike-private, çmimin e duhur të ujit dhe krijimin e “partneriteteve vetëm për ujin” (just water partnerships), për të shtuar financimin për projektet e ujit në vendet në zhvillim dhe vendet me të ardhura të mesme.

Në të gjithë botën, më shumë se 1 trilion dollarë subvencione shkojnë për bujqësi dhe ujë çdo vit, dhe këto shpesh nxisin konsumin e tepërt të ujit. Rrjedhja e ujit duhet gjithashtu të trajtohet urgjentisht, thuhet në raport, dhe rivendosja e sistemeve të ujërave të ëmbla, si lagunat apo kënetat, duhet të jetë një tjetër prioritet.

Uji është thelbësor për krizën klimatike dhe krizën globale të ushqimit.

“Nuk do të ketë revolucion bujqësor nëse nuk rregullojmë ujin”, thotë Rockstrom. “Ne nuk flasim kurrë për ujin”.

Shumë nga mënyrat, sesi përdoret uji, janë joefikase dhe kanë nevojë për ndryshim sipas Rockstrom i cili thotw se duken risi masive.

Samiti i Ujit i OKB-së (UN water summit), i udhëhequr nga qeveritë e Holandës dhe Taxhikistanit, do të zhvillohet në Nju Jork më 22 mars. Udhëheqësit botërorë janë të ftuar, por vetëm disa pritet të marrin pjesë, ndërsa shumica e vendeve do të përfaqësohen nga ministra ose zyrtarë të lartë. Kjo do të shënojë herën e parë në më shumë se katër dekada, që OKB-ja mblidhet për të diskutuar mbi ujin, ku përpjekjet e mëparshme janë penguar nga qeveritë.

Shtatë thirrje për veprim për ujin

-Menaxhoni ciklin global të ujit si një e mirë e përbashkët globale, për t’u mbrojtur kolektivisht dhe si interes i përbashkët.

-Siguroni ujë të kontrolluar për çdo grup popullsie dhe punoni me industrinë për të rritur investimet në ujë.

-Ndaloni përcaktimin e çmimeve të ulëta për ujin. Çmimi i duhur dhe mbështetja e qëllimshme për shtresat e varfëra, do të mundësojnë që uji të përdoret në mënyrë më efikase, më të barabartë dhe më të qëndrueshme.

-Ulja e më shumë se 1 trilion dollarëve të subvencioneve në bujqësi dhe ujë çdo vit, të cilat shpesh nxisin konsumin e tepërt të ujit dhe reduktojnë rrjedhjet në sistemet e ujit.

-Krijoni “partneritete vetëm për ujë” (just water partnerships), të cilat mund të mobilizojnë financat për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

-Të ndërmerren veprime urgjente këtë dekadë për çështje të tilla si rivendosja e lagunave dhe burimeve të varfëruara të ujërave nëntokësore, riciklimi i ujit të përdorur në industri, përdorimi efikas i ujit në bujqësi dhe që kompanitë të raportojnë për “gjurmën e tyre të ujit” (water footprint).

-Reformimi i qeverisjes së ujit në nivel ndërkombëtar dhe përfshirja e ujit në marrëveshjet tregtare. Qeverisja duhet të marrë parasysh gjithashtu gratë, fermerët, njerëzit indigjenë dhe të tjerët, në vijën e parë të ruajtjes së ujit.

Burimi: The Guardian. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë