Pas krizës së rezultateve të Partizanit, që në 5 javë kampionat nuk ka marrë ende fitoren e parë, ka pasur edhe zëra për një largim të mundshëm të trajnerit Ilir Daja. Ndonjë ish-lojtar i këtij ekipi e ka thënë hapur se duhet ndryshim në stol, por për të qartësuar situatën ka ndërhyrë vetë presidenti i të kuqve, Gazmend Demi.
“Daja ka mbështetjen time. Jemi në fillim të kampionatit dhe fati nuk e ka ndihmuar. Me Kukësin nuk hyri goli në fund, edhe me Dinamon nuk hynte goli. Janë barsoleta ato që thuhen, nëse doni barsoleta, më merrni mua dhe drejtorin. Edhe qorrat e kanë parë që nuk kemi fituar për gabime individuale. Daja është më i miri. Edhe mua nuk më pëlqeu ndeshja me Kukësin, por çfarë të bëjmë. Daja nuk ka asnjë problem”, – është shprehur Demi gjatë emisionit “Skaner”.

Përpara është derbi me Tiranën, ku Partizani synon të thyejë “tersin” dhe të fillojë ngjitjen drejt kreut, që mbahet pikërisht nga bardheblutë. Nëse të kuqtë triumfojnë në këtë ndeshje, marrin edhe një bonus të madh moral, por edhe nëse nuk ia dalin, përsëri trajneri Ilir Daja nuk është në rrezik, siç ka pohuar presidenti i ekipit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




