Treg

Kriza e mbiprodhimit të vajit të ullirit ishte e paralajmëruar

Nga Megi Iskurti - Megjithëse nuk duhet të ishte kështu për një vend që konsumin e vajit të ullirit e ka shumë të ulët, rreth 1.1 litër në vit për frymë krahasuar me vende si Greqia që e ka rreth 12.5 litra, fakt është që vaji i ullirit i këtij sezoni po mbetet pa shitur.

Këtë vit Shqipëria ka prodhuar 100 mijë ton vaj ulliri, 70% më shumë se viti i shkuar, duke tejkaluar nivelet për frymë të Spanjës dhe Italisë që mbajnë vendin si shtetet kryesore për prodhimin e tij.

Kostoja e ulët e shërbimeve për këtë kulturë dhe mbështetja me subvencione duket të jenë arsyet kryesore përse në nivel ferme ka patur një trend për rritjen e sipërfaqeve të mbjella me ullinj.

“Edhe nëse nuk i bën shërbimet e duhura, pema e ullirit vazhdon me prodhimin. Megjithatë, edhe nëse bëhen këto shërbime, kostot për ta nuk janë shumë të larta.

Mbjellja e ullirit ka qenë gjithmonë një mënyrë shumë e mirë e shfrytëzimit të tokës për fermerët, me rrezik përgjithësisht të ulët”, thotë për Gazetasi.al Festim Yzi, një fermer që prej shumë vitesh merret me ullinjtë.

Fermerë duke vjelur ullinj

Ai shton se fakti që kultura e ullirit është përfshirë këtë vit edhe në skemën e subvencioneve të Ministrisë së Bujqësisë duke përfshirë rimbursimin e barrës fiskale që merren me kultivimin e kësaj peme, do i nxisë akoma më shumë fermerët të mbjellin ullinj.

Masa mbështetëse mbi përdorimin e fondit të programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural parashikon subvencionimin në masën 50% të vlerës totale të faturës tatimore për ullirin e mbjellë, por jo më shumë se 175.000 lekë, në sipërfaqe jo më pak se 1 ha.

Ilir Pilku, ekspert bujqësie, thotë për Gazetasi.al se mbiprodhimi është pozitiv por mungesa e tregjeve jo.

“Është gjë e mirë që kemi mbiprodhim. Kemi 10 milionë rrënjë ullinj dhe kemi këtë prodhim, afërsisht 25-30 mijë ton vaj ulliri.  Aktualisht jemi 3.5 rrënjë ullinj për frymë, ndërkohë që Italia e cila është një super potencial botëror është 2.5 rrënjë për frymë, Spanja 6.3 dhe Greqia 13 rrënjë për frymë.

Statistika që janë tregues i një sektori shumë potencial në Shqipëri”, vijon ai më tej për Gazetasi.al.

Nëse nuk do të kishim mungesë tregu, mbiprodhimi do të vihej në shërbim të Shqipërisë.

Përse tregtarët nuk gjejnë treg për shitjen e vajit?

Arsyeja kryesore është tregu informal dhe shitjet “nën dorë”. Shumë fermerë e shesin vajin e ullirit në tregun e zi të paambalazhuar.

Agim Rrapaj, kreu i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar pohon për Gazetasi.al se informaliteti mbetet një ndër problematikat kryesore. Ai shton se tregtimi informal nga fermerët dhe falsifikimet në treg e kanë dëmtuar shitjen e drejtëpërdrejtë të ullirit.

Rrjedhimisht, ky dëmtimi i konkurrencës nga informaliteti i lartë, si dhe kostot e larta administrative, duke përfshirë ambalazhimin dhe taksat, e ka kthyer produktin e formalizuar të paleverdishëm nga çmimi.

Shumë fermerë e shesin vajin e ullirit në tregun e zi të paambalazhuar

“Përpunuesi e merr vajin e ullirit te fermeri me 400 lekë dhe së bashku me kostot e ambalazhimit si etiketat apo shishet e qelqit llogarit dhe detyrimet fiskale dhe e shet në supermarkete vajin me çmim 800 lekë. Më pas supermarketet duke përfshirë normën e fitimit e shesin deri në 1000 lekë për litër.

Kështuqë konsumatori, e blen vajin e ullirit me çmim maksimumi 600 lekë për litër në treg të zi te fermeri duke e parë si një situatë më të leverdisshme ekonomikisht”, thotë për Gazetasi.al Festimi, fermeri i cili shton se vetëm një pjesë shumë e vogël, rreth 5-6% shitet në supermarkete.

Gjithashtu tkurrja e popullsisë ka ulur kërkesën për vaj ndërsa prodhimi i fragmentarizuar dhe dominimi nga fermat e vogla vështirësojnë gjetjen e tregjeve për eskporte.

Si duhet ndërhyrë që vaji ynë të dalë në tregjet e huaja?

Shqipëria eksporton shumë pak vaj ulliri dhe sipas ekspertëve duhet më shumë rol nga Ministria e Bujqësisë pasi kultivarët tanë janë autoktonë.

“Qeveria duhet të nxisë më shumë kooperimin mes fermerëve për të krijuar markat e tyre dhe për të respektuar ligjin e ushqimit për tregtimin e produktit, me etiketa dhe logo të caktuara.

Duhet një promovim i vlerave ushqimore të vajit të ullirit sepse vazhdojmë të jemi vend me konsum shumë të ulët”, thotë Ilir Pilku për Gazetasi.al.

Ai thekson se Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia e Nxitjes së Investmeve duhet të kenë një rol më të mirë për t’u gjetur tregtuesve kanale tregtare për eksport.

“Duhet patjetër të eksportojmë sepse kemi investuar me vite të tëra në kultivimin e vajit të ullirit, në kultivimin e kultivarëve autoktonë me vlera të larta ushqyese. Kemi fabrika që janë me teknologji bashkëkohore dhe mbetet veçse të gjejmë tregjet e duhura”, vijon mandej ai ndërsa thekson se Shoqata e Prodhuesve të Ullirit në vitet e fundit është bërë thuajse inekzistente.

A rrezikohen fermerët nga superprodhimi?

Gazetasi.al ka shpjeguar edhe më parë që vaji i ullirit nuk është si vera, që sa më shumë qëndron, aq më e mirë bëhet.

“Vaji stazhionohet dhe për dy vite bëhet i pakonsumueshëm. Madje edhe gjatë këtij harku kohor ai duhet që të ruhet në kushte optimale dhe jo në ambalazhim plastik sic ndodh rëndom tani me qytetarët që e mbajnë për konsum të përditshëm”, thotë më tej Festimi i cili mbyll për Gazetasi.al se në këtë situatë fermerët do të vijojnë të shesin vaj nën kosto edhe për vitet në vijim.

Njëjtë, si në 2020-n.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë