Treg

Kriza e karburanteve, bizneset i kërkojnë qeverisë ndërhyrje urgjente

Nga Gazeta ‘SI’– Përballë rritjes së vazhdueshme të çmimeve të karburanteve, Konfederata e Industrive në vend i ka kërkuar qeverisë ndërhyrje të menjëhershme përmes një pakete fiskale mbështetëse.

Në një reagim për mediat, Konfindustria thekson se thellimi dhe zgjatja e papërcaktuar e krizës së karburanteve, e ndikuar nga zhvillimet ndërkombëtare dhe tensionet në Gjirin Persik, po ushtron presion të fortë mbi ekonominë shqiptare.

Sipas saj, paketa e parë antikrizë duhet të mbështetet mbi disa shtylla kryesore. Së pari, të ardhurat shtesë në buxhet nga TVSH-ja mbi çmimet e rritura të karburanteve, krahasuar me periudhën para krizës, duhet t’u rikthehen drejtpërdrejt qytetarëve dhe bizneseve përmes uljes së çmimit final. Po ashtu, propozohet ulja e taksës së qarkullimit të automjeteve deri në nivelin e rritjes së të ardhurave të përfituara nga TVSH-ja e karburanteve.

Një tjetër masë e domosdoshme, sipas Konfindustrisë, është krijimi i një mekanizmi institucional për vendosjen e një çmimi tavan në tregun me pakicë, me qëllim shmangien e përfitimeve të njëanshme nga tregtarët në kushte oligopoli.

Aktualisht, çmimet e karburanteve kanë arritur deri në 200 lekë për litër dhe pritet të vijojnë rritjen, duke rrezikuar të shkaktojnë pasoja serioze për ekonominë, industrinë dhe konsumatorët.

Konfindustria paralajmëron se Shqipëria tashmë renditet ndër vendet me çmimet më të larta të karburanteve në rajon dhe një përkeqësim i mëtejshëm i situatës mund të çojë në një krizë të thellë ekonomike, me pasoja të gjera sociale dhe potencialisht edhe politike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë