Treg

Kriza e heshtur e vajit të ullirit

Në tregun vendas ka ende vaj ulliri të prodhuar që në 2020-n dhe ky stok nuk është aspak shenjë e mirë për prodhuesit edhe pse kërkesa gjatë pandemisë është rritur.

Prodhuesit thonë se në vitin 2020 pati mbiprodhim të vajit të ullirit çka solli rritje të tregut informal.

”Fermerët po e shesin gjithnjë e më shumë vajin e ullirit në tregun e zi”-thotë Festim Yzi, fermer që ka më shumë se 15 vite që merret me ullinjtë.

 Ai kujton se situata kaotike që ndodhi në vitin 2012 kur kishim mbiprodhim dhe shitjet e vajit zgjatën 4 vjet, thuajse po përsëritet.

Por dy vitet e fundit kulmi i prodhimit ishte në 2020. Një vit më pas prodhimi i vajit ra ndjeshëm për shkak të prodhimit të ulët të ullirit.Festimi tregon se nga parcelat e tij vetëm gjysma e rrënjëve kanë prodhuar ullinj vitin e kaluar dhe se rendimenti ka qenë tëpër i ulët.

“Thuajse në të gjithë vendin u prodhuan pak ullinj këtë vit. Shumë ullishte degradojnë edhe nga mosmirëmbajtja për shkak të emigrimit apo edhe nga fakti që nuk dinë t’i mirëmbajnë në mënyrë profesionale.

Vaji i ullirit nuk është si vera që sa më shumë qëndron aq më e mirë bëhet.Ai stazhionohet dhe pas dy viteve bëhet i pakonsumueshëm”-thotë Festimi

Ky cikël e kaq luhatje i prodhimit të vajit ka deformuar sjelljet e tregjeve. Çmimet janë rritur, konsumi është rritur gjithashtu sidomos pas pandemisë por prodhuesit nuk mundet të plotësojnë kërkesën.

Stoku dhe rreziku që ai me kalimin e viteve gjatë magazinimit mund të humbasë cilësitë dhe të bëhet i papërdorshëm ka krijuar mjaft re në horizontin e sipërmarrësve dhe kultivuesve të ullirit.

 "Duhen edhe më shumë mbështetje nga politikat qeveritare në mënyrë që të na jepet një dorë për të ecur përpara. Shqipëria në dijeninë time ka rreth 11 milionë pemë ulliri, ku pothuajse nga gjysma e tyre çdo vit nuk ka prodhimtari,”-shton më tej Festimi.

Por rreziku më i madh vjen nga tregu informal.

Agim Rrapaj, kreu i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar pohon për Gazetasi.al se informaliteti mbetet një ndër problematikat kryesore. Ai shton se tregtimi informal nga fermerët dhe falsifikimet në treg e kanë dëmtuar shitjen e drejtëpërdrejtë të ullirit.

Agim Rrapaj, kreu i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar(KASH)

Kryetarja e Shoqatës së Prodhuesve të Ullirit, Silvana Pinari, shprehet tregtimi i vajit të ullirit është i pamundur të kontrollohet nga institucionet shtetërore, pasi një sasi e konsiderueshme e produktit shitet nga fermerët që përgjithësisht janë kultivues të vegjël të ullirit deri në 50 rrënjë.

“Hyrja e vajrave të ullirit me datë të afërt skadence, shitjet nën dorë,mospërputhja e produktit që tregtohet me etiketimin dhe paketimi e shitja e tyre si produkt shqiptar, janë një sërë nga problematikat me të cilat haset ky treg.

Gjithashtu shqetësuese mbeten edhe shitjet e vajit nga persona të paautorizuar dhe kushtet e papërshtatshme higjienike,”-thotë më tej për Gazetasi.al Festimi teksa shton se importi është ai që dominon tregun.

Në supermarketet shqiptare gjen disa marka të huaja

Në të gjitha njësitë tregtare të produkteve ushqimore mund të dallosh lehtësisht numrin e lartë të markave ndërkombëtare krahasuar me ato shqiptare. 

Edhe Shoqata e Prodhuesve e ka ngritur shpeshherë problematikën se supermarketet tona kanë deri në 5 llojesh markash shqiptare në rafte dhe më shumë se 10 marka të huaja.

Nga “Shans Market” shitëset tregojnë se edhe qytetarët shqiptarë janë të interesuar për market e huaja ndërsa lidhur me ato shqiptare, vaji që kërkohet më shumë është ai i Borshit.

“Ka dhe nga ata klientë që nuk kanë shumë besim ndaj markave shqiptare. Mendojnë që bëhen falsifikime të shumta dhe rrjedhimisht thonë se nuk ia vlen që të paguash me çmime më të larta një vaj ulliri ekstra të virgjër që në fakt nuk ka lidhje me të.

Vaj ulliri i markave të huaja në supermarket shqiptar

Nuk është çmimi ai që e bën diferencën”, thotë Albana, njëra nga shitëset.

Çmimet e vajit të ullirit do të vijnë në rritje

Ylli Hajdini, administratori i “Vaj Borshi", një nga operatorët më të mëdhenj në treg, thotë se pandemia e Covid-19 e rriti konsumin e vajit të ullirit ashtu siç ndodhi përgjithësisht me kërkesën për të gjitha produktet e shëndetshme.

Por duke qenë se është shtrenjtuar lënda e parë në tregjet e huaja njëkohësisht edhe transporti, prodhuesit shprehen se çmimi i vajit do të shënojë rritje.

“Pjesa kryesore e furnizimit do të bëhet nga importi. Furnizimi nga fabrikat kryhet direkt në kohën e prodhimit.

Në këtë periudhë, oferta është e lartë por ndodh që likuiditeti i kompanive të jetë i pamjaftueshëm, ndërsa vetë nuk disponojmë prodhim. Prandaj është më e leverdishme që furnizimin me lëndë të parë ta kryejmë nga importi”,thotë ai.

Edhe operatorë të tjerë në vend pohojnë rritje të çmimit të vajit të ullirit deri në 5% dhe për shkak të kostove në cilësinë e prodhimit.

Ndryshimi i skemës së TVSH-së në vitin 2019 e dëmtoi industrinë e prodhimit të vajit

Operatorët dhe fermerët nga tregu shprehen se problem tepër i rëndësishëm që prek të gjithë industrinë e vajit është edhe ulja e TVSH-së të subvencionueshme nga 20% në 6%.

E gjithë kjo sipas tyre po ndikon shumë në koston e prodhimit. Sipas skemës për blerjet e ullinjve te fermeri, prodhuesit e vajit të ullirit rimbursohen 6%, ndërsa në momentin që vaji shitet me 20% TVSH, humbjet janë 14%.

Ata shprehen se ky shkallëzim i skemës dhe mosmbështetja e eksportuesve do të ulin akoma më tej interesin e kompanive të vajit të ullirit për gjetjen e tregjeve të reja.

Dalja në tregjet e huaja

Pavarësisht vështirësive me të cilat haset kjo industri, ajo sërish ia ka dalë të jetë prezente në tregjet e huaja edhe pse në shifra minimaliste.

Presidentja nga Shoqata Shqiptare e Prodhuesve shprehet se në shumë panaire e konkurse ndërkombëtare,vaji i ullirit ekstra i virgjër është gjithmonë i vlerësuar.

Shqipëria ka potencial për pjesën organike

Shqipëria vlerësohet të ketë potencial të lartë për zhvillimin e fermave organike përfshirë edhe ato të ullinjve por situata aktuale tregon për një zhvillim të dobët, thotë dhe një raport i fundit nga Ministria e Bujqësisë.

Pjesa organike e ullirit dhe vajit të ullirit të prodhuar dhe i shitur në Shqipëri është e papërfillshme. Sipas statistikave të disponueshme, ishin 7.6 hektarë ullinj të certifikuara organike dhe 9.7 hektarë në proces.

“Një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet ky sektor është cilësia e fidanëve. Është raportuar shpesh se fidanët e ullirit nuk kanë hyrë në prodhim sepse cilësia e fidanëve ishte e dobët ose nuk përshtateshin kushtet lokale. Rreth gjysma e fidanëve (për ullinj dhe në mënyrë të ngjashme edhe për pemët frutore), vlerësohet të jetë informale.

Për shembull, sipas statistikave të disponueshme, numri i fidanëve të ullirit të certifikuar të prodhuar në Shqipëri gjatë viteve 2019 – 2020 ka qenë 193 400, ndërsa numri i ullinjve të rinj vetëm për vitin 2019 është raportuar të jetë mbi 280.000” thuhet në raport.

I njëjti nënvizon se në vend vlerësohet se janë rreth 70.000 – 100.000 fermerë të përfshirë në kultivimin e ullirit. Megjithatë, shumica e fermave kanë një numër të vogël të ullinjve dhe në këtë mënyrë edhe raportimi statistikor i numrit të fermave që kanë ullinj mund të ndryshojnë.

“Sipas statistikave më të fundit të mbledhura nga anketat , janë rreth 9000 fermerë që kanë 1.00- 2.00 ha dhe 2.500 fermerë që kanë mbi 2.00 ha – pra, vetëm një pjesë e vogël e fermerëve që merren me prodhimin e ullirit(10%-15% e totalit) mund ta konsiderojë atë si një aktivitet të rëndësishëm” thuhet në studim.

Luajtjet në nivelet e prodhimit janë të zakonshme: moti i keq në pranverë ose mungesa e reshjeve në momentet kyçe të zhvillimit të ullirit kombinuar me mungesën ose praktikat e dobëta agronomike që shkaktojnë rënie.

Dokumenti nënvizon se prodhimi i ullinjve për përpunimin e vajit të ullirit është mjaft i përqendruar në qarqet e Fierit, Vlorës, Elbasanit dhe Beratit, të cilat së bashku përbëjnë më shumë se 80% të prodhimit të përgjithshëm. Në këto rajone ka edhe një të lartë përqendrimi i fabrikave/përpunuesve të vajit të ullirit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë